Zbulohet laboratori që prodhonte dokumente të falsifikuara për në Britani, SHBA, Kanada dhe në hapësirën SCHENGEN, 3 në pranga

AKTUALITET


Një laborator falsifikimi dokumentesh është zbuluar në Korçë pas një periudhe 5 mujore hetimesh.

Policia ka dhënë detaje në lidhje me këtë megaoperacion ku janë vënë në pranga 3 persona, të cilët e ushtronin këtë veprimtari kriminale, kundrejt pagesës 300-10000 euro.

Sipas policisë megaoperacion është ndërmarrë për goditjen e falsifikimit të dokumenteve me qëllim parandalimin e migrimit të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe, ShBA-së, Kanadasë dhe në hapsirën SCHENGEN.

Në kuadër të operacionit të koduar “The counterfeiters”,  pas një faze 5 mujore hetimi është bërë i mundur shkatërrimi i këtij grupi kriminal që prodhonte dhe pajiste me dokumente të falsifikuara udhëtimi, identifikimi, diplomimi, leje drejtimi dhe qendrimi, shtetas shqiptarë dhe të huaj për të udhëtuar në hapsirën SCHENGEN, Shba, Kanada, Angli etj.

Si rezultat i këtij operacioni, u ekzekutua vendimi i Gjykatës Korçë e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe u ndaluan shtetasit në kërkim: Thanas Sholla, 60 vjeç Besnik Dine, 52 vjeç dhe Artur Rakip 57 vjeç.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të këtij operacioni në banesat e dy shtetasve Sholla dhe Dine dhe në automjetin e këtij të fundit, gjetën pajisje kompjuterike, makineri plastifikimi, fotokopje dokumentesh të huaja dhe një shumë parash.

Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 57 vjeçarit u zbulua një ambient i përshtatur si laborator për prodhimin e dokumenteve të ndryshme shqiptare dhe të huaja të falsifikuara.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi e konsiderueshme dokumentesh të huaja dhe shqiptare të dyshuara të falsifikuara (karta identiteti, pasaporta amerikane, franceze, greke, gjermane, bullgare, leje qendrimi, leje drejtimi, diploma shkolle); fotokopje dokumentesh të huaja; pajisje kompjuterike; makineri prodhimi dhe plastifikimi; vula, simbole, emblema të shteteve të huaja; automjete; shuma parash të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.

Megaoperaiconi vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.



Skip to toolbar