Policia e Beratit ka arrestuar tre kultivues të lëndëve narkotike, të cilët janë arrestuar në gjumë në parcelën e mbjellë me hashash, të cilën e ruanin me armë. Aksioni për kapjen e tyre, i koduar “Agimi” është bërë në orën 3:00 të mëngjesit të së martës në fshatin Meçkë të komunës Lumas në Kuçovë, kur policia ka vënë në pranga 3 personat e dyshuar si kultivues të lëndës narkotike si dhe ka asgjësuar rreth 860 bimë narkotike.
Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë në bashkëpunim mes dy komisariateve, Beratit dhe Kuçovës, të cilët kontrolluan fshatin Meçkë, duke e rrethuar nga dy krahët, derisa arritën të identifikojnë parcelën me kanabis, në krye të së cilës ishte ngritur një çadër. Brenda në çadër u zbuluan dhe tre kultivuesit, të cilët u arrestuan nga uniformat blu. Sipas policisë, në pranga përfunduan Mehmet Xhevit Toska, 44 vjeç, banues në fshatin Balibardhë Berat, Riza Xhemal Gjoroveni, 28 vjeç dhe Fatos Faredin Ballanga, 27 vjeç, të dy banues në fshatin Qereshnik Berat..
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një çadër për banim, e cila shërbente për fjetje, bimë narkotike të thara me peshë 900 gramë, një peshore elektronike si dhe 860 bimë narkotike të kultivuara të përmasave nga 40-70 cm. Gjthashtu, policia sekuestroi një automatik model 56, një pushkë model 54 , një krehër dhe 150 fishekë, që i përdornin të arrestuarit për të ruajtur “mallin”.
Nga ana e Strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat po punohet për zbardhjen, dokumentimin dhe vënien para drejtësisë të personave të tjerë të dyshuar të implikuar.