Zbulohet rasti i rëndë në Vlorë, 14-vjeçari kapet me armë zjarri dhe municion luftarak

AKTUALITET


Një tjetër rasti i rëndë me protagonistë të mitur është konstatuar në Vlorë, ku një i mitur 14-vjeçar është shoqëruar në polici.

Një foto në telefonin e të miturit bëri të mundur gjetjen e një pistolete të fshehur në një motomjet pranë një banese, me rreth 130 copë fishekë luftarakë, të cilat i kishte fshehur 14-vjeçari.

Ende nuk dihet personi që ia ka dhënë armën, ndërsa 14-vjeçari u arrestua për armëmbajtje pa leje.

Babai i djalit ka thënë se i mituri e ka gjetur bashkë me shokët në një godinë të braktisur dhe më pas kanë bërë video, pamjet i kanë shpërndarë në TikTok dhe në fund e kanë fshehur.

Drejtori i policisë së Vlorës Elidon Çela: Dua t’ju bëj me dije, gjatë dy javëve të fundit, dhjetëra prindër dhe pjesëtarë të stafeve pedagogjike të qarkut Vlorë kanë kontaktuar Policinë, duke ndarë shqetësime dhe informacione mbi aktivitetet dhe sigurinë e fëmijëve të tyre, kryesisht të moshave 12 deri në 18 vjeç. Këto informacione kanë qenë të vlefshme dhe kanë ndihmuar në orientimin e veprimeve tona parandaluese.

Një shembull konkret është rasti i një 14-vjeçari, ku, falë informacionit të siguruar dhe punës profesionale nga Policia e Vlorës, ditën e djeshme është bërë e mundur që, nëpërmjet një fotografie të gjetur në celularin e tij dhe pas një pune profesionale me psikolog, prind dhe punonjës social, të gjendej e fshehur në një motomjet pranë një banese një armë zjarri pistoletë me rreth 130 copë fishekë luftarakë, të cilat I kishte fshehur ky 14-vjeçar. Nga ana jonë vijon puna intensive për të identifikuar personin që ia ka dhënë armën këtij 14-vjeçari, i cili u arrestua për armëmbajtje pa leje.

Përfitoj nga rasti që t’i falënderoj të gjithë prindërit dhe stafet pedagogjike që kanë ndarë shqetësimet dhe informacionet e tyre me Policinë. Kontributi i tyre është një shembull i rëndësishëm i bashkëpunimit për rritjen e sigurisë së fëmijëve në rrugë dhe shkollë. Ftoj të gjithë qytetarët që të vazhdojnë këtë bashkëpunim, duke denoncuar rastet e paligjshmërisë, me garancinë e anonimatit të plotë dhe një reagim të menjëhershëm e profesional nga strukturat e Policisë së Qarkut Vlorë.

Këto veprime parandaluese dhe operacionale të njëpasnjëshme janë dëshmi e përkushtimit e strukturave të Policisë Vlorë, falë dhe bashkëpunimit me qytetarët dhe mbështetjen maksimale nga Prokuroria e Vlorës, për të goditur aktivitetet kriminale me qëllim rritjen akoma më shumë të parametrave të sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.



Skip to toolbar