Vajza që shihni në foto është gjirokastritja Marsida Piperi, e arrestuar pasditen e kësaj të premteje, si pjesë e rrjetit që synonte trafikimin e një sasie prej 32.5 kilogramë kanabis sativa në formë çokollate.
32-vjeçarja u arrestua nga policia, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, për trafikimin e një sasi të konsiderueshme lënde narkotike.
Ajo u prangos bashkë me bashkëjetuesin e saj Fatjon Deda, pasi nga kontrolli në banesë në lagjen “Varosh” të Gjirokastrës, u gjet lënda narkotike e ndarë në pako
Krahas saj u vunë në pranga edhe E. R., 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Moskallëzim krimi”; Pajtim Aga, 51 vjeç, banues tek ish-stacioni i Trenit, Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim. Aga është vëllai i një shefi policie në Dibër, Robert Aga, emri i të cilit doli pak kohë më parë në përgjimet e gazetës gjermane “BILD”.
Gjithashtu u arrestua edhe Shkëlqim Nazari 51 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë, i dënuar për veprën penale “Falsifikim dokumentesh; D. M., 20 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë; Fatjon Deda, 37 vjeç, banues në Shëngjin dhe A. H., 38 vjeç, banues në Lezhë.
Operacioni për kapjen e tyre u kodua “Tranzit” pasi Policia e Tiranës dhe ajo e Dibrës kishin grumbulluar informacione në rrugë operative se shtatë të dyshuarit kishin siguruar lëndë narkotike të llojit kanabis sativa në formë çokollate në shtetit grek, lëndë të cilën e kishin kaluar nëpërmjet kufirit nga Konispoli, nëpërmjet dy personave me banim në Gjirokastër.
Me pas lënda narkotike do transportohej në qytetin e Tiranës, me qëllim për ta nisur më vonë në një qytet në veri të vendit, për ta trafikuar jashtë Shqipërisë.
Gjatë operacionit në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 32.5 kilogramë lëndë narkotike canabisa sativa në formë çokollate, gjashtë aparate celularë dhe dy automjete.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë ë vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.