Lideri demokrat duket se është zbutur pas zgjedhjeve të 30 qershorit dhe paralajmërimeve ndërkombëtare për dhunën dhe molotovin në protesta, duke përdorur një gjuhë më të moderuar për betejën e opozitës kundër qeverisë, ku tashmë flet për standarde europiane dhe amerikane.
Në një takim me delegacionin amerikano-hebre, Basha ka deklaruar se beteja e opozitës do të vijojë me standarde perëndimore. “Në vend të heshtjes apo dorëzimit para modelit të dështuar të despotizmit lindor, korrupsionit dhe shkatërrimit të lirisë dhe demokracisë, ne do të vazhdojmë pa kompromis me standardet europiane dhe amerikane, betejën tonë deri në triumfin e vlerave të përbashkëta perëndimore të lirisë, demokracisë dhe mundësive për çdo shqiptar”, deklaroi Basha me delegacionin e Komitetit Amerikano- Hebraik ACJ, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv, z. David Harris.
Basha tha se i ka shprehur z. Harris shqetësimin dhe domosdoshmërinë për ta vazhduar betejën “në këtë orë të errët në Shqipëri, për vlerat dhe parimet themelore të zgjedhjeve të lira, barazisë para ligjit dhe ndarjes dhe kontrollit të pushteteve”.
Aktualisht, Basha ka ndalur turin e protestave dhe po merret me problemet e partisë, ku vetëm një ditë me herët ndryshoi koordindatorët e degëve të PD.
Lënia e PD pa asnjë pushtet si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, e ka vënë Bashën në qendër të kritikave brenda partisë së tij. Për këtë shkak ai është angazhuar së fundit me problemet brenda partisë për të mbrojtur veten e tij dhe duket se e ka harruar “Rama ik”.
Megjithatë, Basha ka paralajmëruar se për PD nuk do ketë pushime, duke angazhuar të gjtiha strukturat që në shtator të rinisë turin e protestave për të rifituar besimin në parti.