“Zbutet” Moska, diplomati i lartë rus: Nuk planifikojmë sulme ndaj vendeve të NATO-s

BOTA


Rusia nuk do t’i sulmojë vendet e NATO-s dhe as nuk po planifikon hapa të tillë agresivë, tha të hënën diplomat i lartë rus, Vladislav Maslennikov.

“Marrëdhënia midis Rusisë dhe NATO-s nuk ka arritur vetëm pikën e saj më të ulët që nga fundi i epokës së Luftës së Ftohtë. Aleanca po ndjek qartë kursin e kundërshtimit të vendit tonë dhe po përmban një ‘kërcënim’ që supozohet se do të vijë nga ne”, tha për gazetën “Izvestia” shefi i Departamentit të Çështjeve Europiane në Ministrinë e Jashtme ruse.

Megjithatë, “Rusia nuk ka kërkuar kurrë të prishë marrëdhëniet me NATO-n. Aleanca është plotësisht fajtore për dëmtimin e tyre. Ne nuk do të sulmojmë vendet e NATO-s dhe as nuk po bëjmë plane kaq agresive,” vazhdoi ai.

Sipas diplomatit, Rusia dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut kanë ende në dispozicion të ashtuquajturat linja të nxehta të komunikimit dhe mundësi për kontakte emergjente. “Për sa i përket kontakteve dhe mekanizmave normalë për dialog, që mund të përdoren në kërkim të mënyrave për uljen e tensioneve, aleanca i ka refuzuar ato. Nuk ka qenë zgjedhja jonë. Në vitin 2014, NATO ndaloi në mënyrë të njëanshme bashkëpunimin me ne në Këshillin Rusi–NATO në sferën ushtarake dhe civile,” kujtoi ai.



Skip to toolbar