Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në takimin vjetor i Këshillit Koordinues të Diasporës u ndal tek Zgjedhjet 2025.
Ai u shpreh se vota e diasporës është një proces kompleks që paraqet shumë sfida, ndërsa theksoi nevojën e bashkëpunimit edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke sqaruar se paraqet vështirësi regjistrimi për herë të parë si votues, por se më pas gjithçka bëhet më e lehtë.
“Jemi sot me kokën lart përpara gjithë shqiptarëve jashtë atdheut edhe për një arsye që tanimë është një mision i përmbyllur të paktën sa na takon ne, vota e diasporës, një mision jo i lehtë, që është i lidhur me një vullnet që shkon përtej ndasive partiake dhe që kërkon një votë më të madhe në numër sesa ajo e një shumice qeverisëse, arsye për të cilën jemi vonuar për një kohë të gjatë por më në fund, besoj edhe si rezultat i punës së Këshillit Kombëtar të diasporës, dhe mobilizimit të zërave në diasporë, u realizua dhe sot jemi në prag të një procesi zgjedhor kur për herë të parë në historinë demokratike, qytetarët shqiptarë janë vendit do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës pa pasur detyrimin që të udhëtojnë në Shqipëri por thjesht duke përdorur postën nga ku banojnë.
Sfidë më vete, nuk e shoh kryetarin e KQZ, por me siguri do të jetë i pranishëm më tutje për të dhënë edhe ai këndvështrimin e tij teknik mbi vështirësitë e këtij procesi dhe nevojën e mobilizimit të të githëve për ta ushtruar atë të drejtë sepse ka një proces që herën e parë është kompleks për të realizuar regjistrimin si votues dhe më pas bëhet më i thjeshtë”, u shpreh Rama.