Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, tha në emisionin “Real Story”, në News24, se dëshiron të garojë nën siglën e partisë së tij në zgjedhjet e 25 prillit.
Sipas tij, politika është sfidë dhe ai dëshiron që të masë forcën me PAA-në, ndërsa kritikoi qeverinë për ndryshimet e fundit kushtetuese, duke thënë se janë bërë totalisht në shërbim të Ramës për të fituar pushtetin.
Aristir Lumezi: A ju shqetëson fakti që s’mund të jeni në koalicion?
Duka: Unë do kisha shumë dëshirë që ne të garonim nën siglën e PAA. Unë e kam thënë që sidoqoftë ne do garojmë me siglën e partisë sonë, nuk do të futeshim në listat e PD. Në fund të fundit politika është sfidë, ne duam të masim forcën. Por, ndryshimet e fundit janë bërë totalisht në shërbim të Ramës për të fituar pushtetin. Janë bërë në mënyrë të njëanshme.
Pyetje: Keni oferta?
Padyshim që kemi.
Pyetje: Nga e majta?
Është absurde të kesh ofertë të tillë, se nuk mund të kapërcesh ylberin për pak muaj para zgjedhjeve.
Erl Murati: Duka ka qenë më i drejtpërdrejti nga aleatët e PD dhe e ka thënë atë që ka menduar. Në momente të caktuara ai ja ka lënë përgjegjësinë dhe opozitës, përveç qeverisë.
Pyetje: Mendoni që Basha bën mirë apo keq që flet vetëm për Covid-in? Pse PD nuk po shihet fare në terren?
Duka: Sa i përket shqetësimit të Bashës për pandeminë mendoj se është zgjedhje e tij. Nuk jam i aftë ta ndryshoj nëse duhet të bënte ndryshe, megjithatë nuk është se nuk i ka prekur edhe çështjet e tjera. Pastaj PD nuk përfaqësohet vetëm nga një njeri, që do të thotë se nëse e shohim në total sjelljen e opozitës, mendoj se është e duhura. Ajo që mund të sjellë rrotacionin në pushtet është PD, sado që të mundohemi ne partitë aleate.