Zgjedhjet e 11 Majit/ Ministri Hoxha: 3 721 116 shtetas gëzojnë të drejtën e votës. Të paraqiten pranë Gjendjes Civile për t’u përfshirë në listë

AKTUALITET


Gjendja Civile ka publikuar ekstraktin e parë të listës zgjedhore, në përputhje të plotë me përcaktimet ligjore dhe standardet e Kodit Zgjedhor. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha në një deklaratë për mediat tha se sipas të dhënave, të drejtën e votës e gëzojnë 3 721 116 shtetas shqiptarë.

Ai ftoi qytetarët që të paraqiten pranë zyrave të gjendjes civile për t’u përfshirë në listën e zgjedhësve.

“Ministria e Brendshme ka nisur procesin e përgatitjeve të zgjedhjeve të 11 majit duke publikuar ekstraktin e parë të listës zgjedhore në përputhje të plotë me përcaktimet ligjore dhe Kodit Zgjedhor. Sipas të dhënave, të drejtën e votës e gëzojnë 3 721 116 shtetas shqiptarë, ndër ta 50 përqind janë zgjedhës të gjinisë meshkuj dhe 49.5 femra. deri në këtë moment, të papërfshirë në listë janë 4356 shtetas mbi 100 vjeç, që mbushin apo kanë mbushur këtë moshë deri në 11 maj. Për të siguruar të drejtën e votës, këta qytetarë duhet të paraqiten pranë zyrave të gjendjes civile për t’u përfshirë në listën e zgjedhësve. Aktualisht, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit është 5500. Ftoj kryetarët e bashkive për tu angazhuar për vendimmarrje në qendrat e votimit jashtë limiteve dhe kapaciteteve me më shumë se 1 mijë zgjedhës apo më pak se 300.

Gjithashtu në këtë kuadër, ministria e brendshme dhe e drejtësisë kanë miratuar një akt të përbashkët për pastrimin e listave nga shtetasit që ligji i dekriminalizimit i përjashton nga e drejta e votës dhe hapja e qendrave të votimit në institucionet e vuajtjes së dënimeve. Për herë të parë, listat zgjedhore do përfshihen në dy kategori, zgjedhësit brenda dhe jashtë.

Kjo listë paraprake do të jetë publike deri në 9 mars dhe çdo shtetas do të ketë në dispozicion 48 orë për të shprehur vullnetin përfundimisht nëse duan të votojnë brenda ose jashtë vendit. Ky hap përfaqëson moment historik për demokracinë, duke ofruar mundësinë që diaspora të ushtrojë vullnetin e lirë pavarësisht ku jeton.

Nga 11 janar shënohet fillimi i procesit të regjistrimit të votuesve jashtë Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare. Regjistrimi do të bëhet nëpërmjet platformës elektronike të regjistrimit të votuesve nga jashtë, në të cilën mund të kryhet nga aplikacionet e KQZ.

Për regjistrimin nevojitet pajisje elektronike për verifikim për regjistrimin elektronik apo fotografimin e dokumentit të identifikimit. Ndaj është e domosdoshme që cdo shtetas që jeton jashtë vendit, të rinovojë dokumentet e identifikimit duke pasur të paktën njërin prej tyre të vlefshëm”, tha ministri./abcnews.al



Skip to toolbar