Edhe pse Gjykata Kushtetuese në Kosovë, ende nuk ka marrë vendim për kompetencat e qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, pengesa e parë që del është ndarja e buxhetit për KQZ-në, e cila duhej të kryhej nga qeveria në detyrë, por që opozita nuk pranoi. KQZ e Kosovës thotë se nuk mund të nisë punën pa pasur një buxhet, duke shkaktuar kështu një ngërç që pritet të zgjidhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Pesë milionë euro i duhen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e Zgjedhjeve të Parakohshme në Kosovë. Pa alokimin e këtyre mjeteve, KQZ-ja nuk mund të nisë asnjë procedurë.
“Ne s’mund të bëjmë asnjë procedurë për t’u furnizuar pa u alokuar buxheti. Është e kotë të shpallen zgjedhjet e sot të miratohet buxheti pa pasur mjete. Kemi kontaktuar me Ministrinë e Financave, por as ata nuk e kanë të qartë si të veprojnë. S’mund të fillojë asnjë procedurë të furnizimit. Të ndërmerret ndonjë hap sepse është e kotë të merren vendime”, deklaruan anëtarët e KQZ në Kosovë.
Ministria e Financave ka deklaruar se nuk mund të marrin menjëherë vendim, pasi çështja e kompetencave të qeverisë në dorëheqje ende nuk është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese. Ministria e Financave shpreson që shumë shpejt do të kenë opinionin e Gjykatës Kushtetuese, në të kundërtën do të bisedojnë me ekspertët se cila është rruga ligjore për të vepruar në këtë rast.
Por anëtarët e KQZ-së vlerësojnë se nuk duhet penguar procesi zgjedhor dhe se të gjitha qeveritë në detyrë kanë ndarë mjete për organizim të zgjedhjeve.
“Situata nuk është e ndryshme sepse edhe qeveritë tjera kanë qenë në detyrë. Në 2017 buxhetin e kemi marrë pas dy ditësh. Nuk ka asnjë arsye që të mos merret vendimi për buxhetin sepse është qeveri në detyrë”, deklaroi KQZ, e cila ka marrë vendim që fushata zgjedhore do të zgjatë vetëm 10 ditë meqë janë zgjedhje të parakohshme. Do të fillojë me 25 Shtator e do të përfundojë më 4 Tetor.