Monika Kryemadhi thotë se integrimi evropian i Shqipërisë, nuk mund të sakrifikohet për asnjë arsye. Në një reagim, kryetarja e LSI la të kuptohet se ky është shkaku që opozita pranoi të ulet në tryezë me mazhorancën, me qëllim që ajo të mos ngrejë alibi se “opozita po pengon integrimin europian”. “Gjithëpërfshirja dhe dialogu politik janë të vetmet rrugë me të cilat mund të realizojmë reformat e nevojshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj pa humbur kohë të miratojmë një reformë zgjedhore që u mundëson qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur të lirë, pa presionin e bandave, intimidimin me vendin e punës dhe nën kërcënimin e levave të pushtetit. Opozita sot mori përgjegjësinë e saj përpara qytetarëve shqiptarë për të realizuar reformën zgjedhore, e cila është edhe një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu Gjerman për të bërë të mundur hapjen e negociatave në Samitin e Zagrebit.
Kjo pikë ka qenë deri tani e vetmja alibi e pushtetit për të bërë bashkëpërgjegjëse opozitën për dështimet e saja në integrimin evropian të vendit. Nga sot, pas dakordësisë së opozitës në unison, për të përmbyllur me konsesus dhe nën prezencën e faktorit ndërkombëtar Reformën Zgjedhore, i duhet Qeverisë dhe maxhorancës të tregojë se është e gatshme të mos mbajë më peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, thotë Kryemadhi. Ndërkohë, ajo shprehet më tej se tashmë është përgjegjësi e mazhorancës për të përmbushur kushtetet e tjera të lëna nga Bundestagu, me qëllim hapjen e negociatave. Kryemadhi del në krah të Ilir Metës, duke u shprehur se “Rama duhet të heqë dorë nga bllokimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese”.
“Nga sot është kjo maxhorancë që duhet të përmbyllë tetë pikat e tjera të kushteve mjaft të qarta të Bundestagut Gjerman. Nga sot është kjo maxhorancë që duhet të heqë dorë nga bllokimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sipas Kushtetutës pa keqpërdorur mekanizmat e saja qorre në KED apo në Parlament. Nga sot është përgjigjësia e kësaj maxhorance të bëhet gati për implementimin e Reformës zgjedhore që do të miratohet me konsesus.
Nga sot është përgjegjësia e kësaj maxhorance që të plotësojë kushtin e vënies para drejtësisë së vjedhësëve të votave, dosja 184 dhe 339. Nga sot është përgjegjësi e maxhorancës të japë shembuj për luftën ndaj korrupsionit të saj. Dhjetra dosje të korrupsionit qeveritar janë në sirtaret e Prokurorisë. Sot opozita, me marrjen e përgjegjësisë për të vetmin kusht që duhet kontributi i saj për të zhbllokuar integrimin në BE, tregoi që mbi interesat partiake apo llogaritë meskine elektorale vendos të parën të ardhmen e shqiptarëve”, thotë Kryemadhi, ndërsa në fund përdor edhe një shprehje, që shpesh e përdor Presidenti Ilir Meta në deklaratat e tij: “Shqipëria është e para, e ardhmja evropiane e saj është para”.