Kryetari i KQZ, Klement Zguri nuk tërhiqet nga çështja e pjesëmarrjes në votime, duke hedhur akuza edhe ndaj subjekteve që janë ankuar, se sipas ato po bëjnë hile në ankesat e tyre për ta kthyer këtë shqetësim në një farsë. Duke folur për procesin e numërimit të votave në 11 KZAZ-të e Bashkisë së Lezhës, Zguri tha se KQZ hapi 11 kutitë e Lezhës, por jo listat e zgjedhësve të këtyre KZAZ-ve, siç kërkoi ai një ditë më parë. Nga numërimi nuk rezultuan të kishte ndryshim të votave dhe ato lëviznin me shumë pak diferencë.
Në fjalën e tij, Zguri tha se procesi i hapjes së kutive është shoqëruar me një hile nga ana e ankimuesve që sipas tij kërkojnë numërimin e kutive, por nuk kërkojnë që të shikohet lista e votuesve për të parë sa persona kanë shkuar të votojnë. “Në përfundim të këtij procesi, ve re me dhimbje që subjektet e kanë kthyer në një farsë, duke qenë se kam kërkesën ankimore, arsyet pse kundërshtojmë këto vendime kanë lidhje me shkeljet e rënda ligjore që janë evidentuar në Bashkinë Lezhë. Është shumë e thjeshtë, nëse ti ke një pretendim, që qenkan vota më shumë nga çka zgjedhës në listë, pra minimumi është të kërkosh listat e votuesve. Asnjë ankimues nuk artikulon të shikohet lista e votuesve dhe listat nuk i përmend njeri. Listat e votuesve qenkan mollë e ndaluar në këtë proces. Në disa raste kam kërkuar që të hetohen procesverbalet e qendrave të votimit, por kjo është refuzuar. I thashë të gjitha këto, me keqardhje shoh që të drejtën e tyre për të ankimuar, e kanë ushtruar nëpërmjet një hileje dhe jo nëpërmjet një ndërgjegjësimi apo një të drejte”, tha Zguri, duke i orientuar subjektet zgjedhore sesi të ankohen.
Zguri edhe më herët ka deklaruar se ka mospërputhje mes numrit të votave dhe numrit të pjesëmarrësve në zgjedhje, duke kërkuar hetim që të rinumërohen të gjitha votat, kërkesë e rrëzuar nga KQZ. Madje, ai ka kërkuar edhe hetim administrativ për shifrat paraprake të dhëna nga KQZ për pjesëmarrjen gjatë ditës së votimeve, e cila është pranuar nga KQZ, por në një kohë të mëvonshme.