E djathta ekstreme e Marin Le Pen, Tubimi Kombëtar shkruan historinë në Francë, duke ju afruar portave të pushtetit, më shumë se kurrë më parë.
Siç e parashikuan edhe sondazhet, partia populiste konfirmoi dominancën në politikën franceze, duke fituar bindshëm raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare, me 33.2 perqind të votave.
Aleanca e Majtë Fronti i ri Popullor e Jean Luc Melenshon, u rendit e dyta me 28 përqind, ndërsa kampi i Macron, i treti me 20 përqind të votave. Mbështetësit e partisë anti-emigracionit të Tubimit Kombëtar, festuan mbrëmjen e së dielës, teksa presidentja e partisë, Le Pen, deklaroi se blloku makronist ishte asgjësuar.
Sakaq, kryetari i partisë Jordan Bardella, tha se synonte të ishte kryeministër për të gjithë francezët.
“Dua të jem kryeministër për jetën e përditshme, ai që të mbrojë nga blerja e pushtetit, që do të rivendosë ligjin dhe rendin, sigurinë dhe qe do t’i bëjë politikat e emigracionit prioritet të veta”, tha Jordan Bardella.
Por jo gjithçka është vulosur. Le Pen dhe Bardella duan shumicën absolute prej 289 vendesh në Asamblenë me 577 të tilla. Një raund i dytë do të zhvillohet të dielën e ardhshme dhe sondazhet sugjerojnë se partia mund të mos e përmbushë objektivin për vetëm pak vota. Pa një shumicë absolute, Franca do të ketë një parlament të përçarë dhe tubimi kombëtar nuk do të jetë ne gjendje të çojë përpara planet për emigracionin e reduktimin e taksave.
Macron, i cili thirri zgjedhjet e parakohshme pas triumfit të ekstremit të djathtë në zgjedhjet europiane, po synon tani një aleancë me Frontin e ri popullor që u rendit i dytë, në përpjekjen për të mundur Le Pen.
Një qeveri e drejtuar nga tubimi kombëtar, do të ngrinte pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen e Bashkimit Europian, konsideruar rezistencën e partisë ndaj zgjerimit të mëtejshëm. Qindra protestues dolën ne rrugët e kryeqytetit mbrëmjen e së dielës, për të kundërshtuar fitoren e populistëve.