Ndërkohë që ish kreu i bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku vijon të jetë në kërkim nga policia prej disa ditësh dhe deri tani nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij, policia ka ndërmarrë një tjetër hap dhe bëhet fjalë për pasurinë e Kajmakut. Policia ka nisur hetimin dhe po kërkon informacion për pronat e ish kreut të bashkisë së Vorës dhe llogaritë bankare.
Prokuroria i ka dërguar kërkesë Kadastrës për të marrë informacion për pasuritë e paluajtshme që zotëron socialisti, i cili është shpallur në kërkim pasi ndaj tij i është vendosur masa “arrest me burg” në mungesë.
Ndërkohë që informacion ka kërkuar edhe nga bankat për të ditur llogaritë bankare që disponon ish kryebashkiaku i Vorës.
Për më shumë se një javë Agim Kajmaku është shpallur në kërkim pasi akuzohet për 3 vepra penale.
Agim Kajmaku akuzohet për “Shpërdorimi të detyrës”, “Falsifikimi të vulave, stampave ose formularëve” dhe “Kryerje të funksionit pas dhënies fund të tij”. Kjo për shkak se ai firmosi shkarkimin e dy nënkryetarëve të bashkisë pasi KQZ kishte miratuar shkarkimin e tij nga detyra.