Zhdukja e Jan Prengës, Gramoz Rexhepi përballet menjëherë me Gjykatën e Posaçme

AKTUALITET


Dritan Rexhepi, i njohur edhe me emrin Gramoz u arrestua në nëntor të 2023-shit në një vilë në Stamboll, teksa përdorte një pasaportë të falsifikuar kolumbiane. Që pas prangosjes së tij, Shqipëria ishte në garë me 3 shtete të tjera për të bindur autoritetet turke për ekstradimin, përfshirë Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Ekuadorin, ndërsa dosja me provat e kopsitura të SPAK, me sa duket, bindën autoritetet turke që Dritan Rexhepi të dorëzohej për llogari të drejtësisë në vendin e tij, shkruan A2 CNN.

Ai akuzohet për rolin e tij si porositës në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020, trupi i të cilit nuk është zbuluar ende. Urdhri për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës më 17 janar 2020 në Kamzë, e dha pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga, kishte vjedhur në Angli, një kontenier me kokainë në pronësi të tij dhe bashkëpunëtorëve.

Por ndërkohë mbi Dritan Rexhepin rëndon një vendim i 2013-ës prej 25 vitesh burg për vrasjen në vitin 1999 të dy personave në Fushë Krujë, njeri prej tyre polici Durim Kasmi.

Mbi Dritan Rexhepin historiku i problemeve në drejtësinë vendase dhe të huaj nis në 2006-ën kur në Tiranë u arrestua me një armë pa leje, ndërsa u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje në Durrës. Dy vite më vonë u arrestua në Holandë dhe u ekstradua në Itali, i dënuar me 15 vite burg për trafik droge, 13 prej të cilave i kanë mbetur pa u shlyer, pasi u arratis në 2011-ën. Po atë vit u arrestua në Spanjë dhe u ekstradua në Belgjikë, po për trafik droge, ku përsëri u arratis.Ai u shndërrua në një prej baronëve të karteleve të kokainës nga Amerika Latine. Në vitin 2014 Dritan Rexhepi u arrestua në Ekuador me 240 kg kokainë, por dyshohet se drejtonte nga qelia rrjetin e trafikut të kokainës për në Europë. Në vitin 2020, Interpoli botoi disa fotografi të tij nga brenda burgut në Ekuador. Po atë vit rrjeti i tij u shkatërrua nga një operacion i Europol, ku u përfshi edhe Policia jonë e Shtetit.



Skip to toolbar