Zhdukja misterioze e të riut. Pista ku po hetohet

AKTUALITET


Sherif Mukaj, 28 vjeç, nga fshati Starje i Bashkisë Kolonjë është zhdukur në mënyrë misterioze prej 1 nëntorit.

Prej 19 ditësh nuk dihet asgjë për fatin e 28-vjeçarit ndërkohë që vazhdojnë kërkimet për të.

Pas një telefonate nga Shkodra, ku thuhej se kishin parë djalin në një lokal, pas fotos të shpërndarë në media, policia e Kolonjës në bashkëpunim me atë të Shkodrës kanë  kërkuar edhe në këtë qark.

Ndërkohë nga të gjitha informacionet e mbledhura ende nuk ka asnjë rezultat për gjetjen e tij.

Sipas familjarëve nga kamerat e sigurisë së lokalit ku mendohet të jetë parë djali në Shkodër rezulton se nuk ishte i njëjti person me atë që përshkruante telefonata.

28 vjeçari është parë për herë të fundit në datën 1 Nëntor në Ersekë ku ka konsumuar kafen me shokët e tij.

Sherif Mukaj i datëlindjes 30.04.1993 përpara se të zhdukej ka lënë makinën dhe sendet e tij personale, kartën e identitet dhe një telefon në shtëpinë e tij ndërsa me vete mbante një tjetër telefon që rezultonte të ishte me sinjal deri në datën 5 Nëntor,e më pas çdo gjë mbetet enigmë.

Në qershor të këtij viti familjarët të cilët jetojnë në Amerikë  i kanë dërguar 5 milion lekë, çka tregon se ai s’ka patur probleme ekonomike

Pritet zbardhja e tabulateve që të hedhe dritë mbi zhdukjen e tij ndërkohë që një nga dyshimet e policisë është se ai mund të ketë kaluar kufirin nga mali pasi të gjitha sendet personale të tij i ka lënë në shtëpi.

Ata pretendojnë që mund të ketë ikur nga mali në Greqi.



Skip to toolbar