Parlamenti i Maqedonisë së Veriut do të nisë sesionin e ri parlamentar me një vendim të vështirë, jo vetëm për krizën e shkaktuar nga akuzat për korrupsion ndaj prokurores Katica Janeva, që të hënën do të vendosë edhe për shkarkimin e saj, por edhe për faktin se kjo është një provë e fortë për vendimin e negociatave në tetor.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka marrë raportin e Këshillit Prokurorëve, i cili konfirmon shkarkimin e Janevës, e cila po mbahet e izoluar në paraburgim për rastin “Zhvatja”, por që duhet të marrë votëbesim në parlament. Megjithatë, ky proces mund të ndërlikohet, sepse Maqedonia po pret përgjigjen për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Nga ana tjetër, nëse Janeva nuk shkarkohet përfundimisht as nga parlamenti dhe partitë politike nuk gjejnë një zëvendësues të saj, Këshilli i Prokurorëve Publik të Maqedonisë së Veriut duhet të caktojë një Prokuror të ri Special.
Pas shpërthimit të skandalit “Zhvatja”, zëri i saj doli në përgjimet e ryshfetit prej 1.5 milionë euro që biznesmeni Orce Kamçev i dha moderatorit Bojan Jovanovski (Boki 13) dhe Zoran Kiçecit për mbylljen e hetimeve, ku ai dyshohej se kryente pastrim parash.
Katica Janeva, kryeprokurorja e paraburgosur speciale muajin e ardhshëm, në shtator do të mbetet pa rrogë. Ajo deri tani ka pasur një rrogë marramendëse prej mbi 3 mijë euro, pa përfshirë këtu edhe përfitime të tjera. Janeva vetëm për shtëpinë me qira në Shkup merrte 400 euro kompensim. Në shumë raste shihej me veshje luksi dhe me ‘look’ të ri, me garderobë prej mijëra eurove.
Në pronësi të saj ajo ka shtëpi në Gjevgjeli, tre banesa në Shkup, tokë bujqësore dhe truall në rajonin e Gjevgjelisë. Ajo nga periudha e vitit 2014 -2015 ka hyrë në katër kredi (njëra e djalit të saj) me vlerë rreth 100 mijë euro.