“Zhvatja”, reagon Hahn: Maqedonia e Veriut të hetojë korrupsionin

AKTUALITET


Brukseli ka reaguar për herë të parë lidhur me rastin “Zhvatja” në Maqedoninë e Veriut, ku është përfshirë edhe pronari i një televizioni, Bojan Jovanovski, i njohur si “Boki 13”. Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, tre ditë pas zbulimit të videove të Skandalit, ka kërkuar nga Shkupi zyrtar që të luftojë korrupsionin. Ndërkohë, autori i publikimit të përgjimeve në median “La verita” ka sulmuar shefen në ikje të Politikës së Jashtme, Federica Mogherini, për heshtje ndaj rastit.

Eurokomisionari për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn komentoi ndodhitë në vend, një ditë pasi u thirr nga politikania gjermane, Doric Pack që të ndërmerrte hapa lidhur me rastin që ka tronditur Maqedoninë e Veriut e ku pretendohet edhe implikimi i Prokurores Speciale Katica Janeva dhe Kryeministrit Zaev. Komisioneri Han dha mesazhin se lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë duhet të vazhdojë.

“Lidhur me zbulimet më të reja, me rëndësi është të vërtetohet përgjegjësia juridike për të gjitha veprat penale, duke llogaritur edhe ato që dalin nga përgjimet e jashtëligjshme. Të gjitha veprat penale duhet të shqyrtohen nga organet kompetente, kurse kryerësit të dalin para drejtësisë”, shkruan Hahn në Twitter.

Ndërkohë, gazetari italian me prejardhje sllovene Laris Gajser, i cili për opinionin në Maqedoninë e Veriut u bë i njohur me publikimin e bisedave të xhiruara në rastin “Zhvatja”, ka publikuar një video në edicionin elektronik të gazetës “La Verita”, ku sulmon Bashkimin Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë në largim të BE-së për Politikë të Jashtme Federica Mogherini. Gajser shtron pyetjen përse Brukseli po hesht për këtë rast në Maqedoninë e Veriut, duke potencuar se është e çuditshme mungesa e reagimeve nga Mogerini dhe Presidenti aktual i Komisionit Evropian Junker, të cilët sipas tij, fuqimisht kanë insistuar për Prokurorinë Speciale.

Duke shfaqur bindjen se ende ka mundësi të ketë një demokraci të vërtetë të bazuar në opinion publik të informuar dhe kontroll të politikanëve, Gajser pyet se si ka mundësi që Federica Mogherini të heshtë para realitetit kriminal në Maqedoninë e Veriut.

Hetimet për këtë rast mund të dëmtojnë rëndë Maqedoninë e Veriut, e cila pret vendimin e tetorit për hapjen e negociatave. Në qershor, kur politika shqiptare ishte në krizë, Zaev kërkoi që Maqedonia e Veriut mos të gjykohet me të njëjtin qëndrim si me Shqipërinë. Por duket se tashmë vëmendja është kthyer pikërisht te Maqedonia e Veriut, e cila, jo vetëm ka detyruar prokuroren speciale të tërhiqet nga funksioni, por dyshimet për korrupsion kanë shkuar deri te niveli i kryeministrit, pavarësisht se vetë Zaev i ka mohuar këto akuza.



Skip to toolbar