Zjarr i qëllimshëm ndaj makinës së ish-kreut të Gjykatës Shkodër

AKTUALITET


Makina e gjyqtarit të Shkodrës, Andri Ymeri është djegur gjatë natës dhe dyshimet e para të policisë janë për zjarrvënie të qëllimshme. Burimet nga policia e Shkodrës thanë se ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 të së dielës pranë Kishës Françeskane në Shkodër. Për pasojë është shkrumbuar plotësisht edhe një automjet tjetër që ishte parkuar pranë tij.

Burime pranë Policisë së Shkodrës shpjegojnë se nga hetimet e deritanishme rezulton se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërkohë që blutë e Shkodrës kanë marrë në pyetje edhe vetë gjyqtarin për të mësuar nëse ai ka pasur kërcënime për çështje që mund të ketë pasur në gjykim, ose konflikte të mëhershme. Andri Ymeri, gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, ka qenë për disa vite edhe kryetar i kësaj gjykate.

Më herët, Ymeri është akuzuar për korrupsion nga një i dënuar, por ndaj tij nuk ka pasur proces penal. Konkretisht, ai është kallëzuar nga një i dënuar me 21 vite burg. Gentian Hoxha, një i ri i cili është dënuar në mungesë me 21 vite burg nga ky gjykatës, në një kallëzim të paraqitur më 18 dhjetor të 2014 në Prokurorinë e Përgjithshme tregon se gjyqtari Ymeri i kishte kërkuar 25 mijë euro, që t’i hapej sërish çështja. Por, prokuroria nuk gjeti prova për ta akuzuar gjyqtarin.



Skip to toolbar