Zjarr në nënstacion elektrik, banorët mbeten pa drita

AKTUALITET


Një defekt në nënstacionin elektrik në lagjen 29 Nëntori në Elbasan ka shkaktuar një zjarr të shpejtë, duke alarmuar edhe banorët përreth nga frika se flakët mund të përhapeshin në shtëpitë e tyre.

Ndërhyrja në kohëbëri që situata të vihej nën kontroll. Dy zjarrfikëse u nisën drejt vendit të ngjarjes. Pas shuarjes së zjarrit disa lagje aty pranë kanë mbetur pa energji elektrike. Policia dhe zjarrfikësit kanë kontrolluar zonën që të shmangin ndonjë vatër tjetër zjarri, ndërsa në nënstacionin elektrik kanë shkuar specialistët e OSHEE-së, të cilët kanë nisur punën për riparimin e defektit me qëllim për të rikthyer energjinë elektrike.

Disa orë më vonë, OSHEE njoftoi se ka kaluar më regjim avarie Nst Kusarth 110/20kV, duke sjellë për pasojë stakimin e  linjës 110kV Nst Elbasan 220- Kusarth dhe mungesën energjisë elektrike për n/st Fiber, Librazhd dhe Prrenjas për afro 12 minuta.

Avaria ndodhi në Nst Kusarth si pasojë e djegies së dy transformatorëve, ku brigada e Drejtorisë së Tensionit të Lartë ndërhyri menjëherë me shuarjen e flakëve dhe vendosjen brenda sigurisë për objektin. OSHEE theksoi se në asnjë rast nuk janë rrezikuar banesat pranë n/st pasi ndërhyrja ka qenë e menjëhershme falë zbatimit të protokollit të sigurisë. OSHEE është duke punuar nëpërmjet konfigurimit te skemave për të furnizuar edhe pjesën e mbetur të abonentëve (afro 10%).



Skip to toolbar