Zjarr në spitalin e Durrësit, evakuohen pacientët, 5 prej tyre dërgohen në Tiranë

AKTUALITET


Një zjarr i papritur ka përfshirë katër katet e spitalit të Durrësit gjatë natës, ndërsa është bërë e mundur evakuimi i menjëhershëm i pacientëve, 5 prej të cilëve janë dërguar drejt Tiranës. Shkak për zjarrin dyshohet të jetë një shkëndije elektrike që ka nisur fillimisht në repartin e Kirurgjisë dhe më pas është përhapur edhe në katet e tjera të spitalit, duke djegur kabinën elektrike duke lënë pa energji të gjithë godinën dhe duke mbushur të gjithë spitalin me tym.

Punonjësit e spitalit ishin të parët që vunë në lëvizje pacientët, ndërkohë që në vendngjarje mbërritën edhe forcat zjarrfikëse e policia, duke bërë të mundur evakuimin e pacientëve dhe materialeve në spital.

Bashkë me zjarrfikësit e Durrësit, në shuarjen e flakëve dhe evakuimin e pacientëve u angazhuan dhe zjarrikëset e Shijakut.

Drejtoresha e Spitalit, Nadire Jani, ka bërë të ditur për “Balkanweb” se zjarri ka përfshirë kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë deri në katin e katërt.

Sipas drejtoreshës Jani, janë zhvendosur të gjithë pacientët e neurologjisë dhe kirurgjisë, ndërsa 5 prej tyre janë dërguar në Tiranë, pasi kishin nevojë për oksigjenim.

“Zjarri përfshiu kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë në të katërt, duke bërë që gjysma e spitalit të mbetej pa energji. Të gjithë pacientët e neurologjisë, kirurgjisë, janë zhvendosur. Ndërsa 5 qe kërkonin oksigjenim janë dërguar në Tiranë.

Evakuimi i të gjithë pacientëve u bë pasi u shkaktua një tym i madh që përfshiu katin e parë e deri në të katërt. Fillimisht kanë ndërhyrë rojet e spitalit, derisa kanë ardhur zjarrfikëset e Durrësit. Lajmërimi i parë erdhi në 00:20, ndërkohë që shkaktoi shumë panik te pacientët dhe të afërmit e tyre që ishin në spital”, tha drejtoresha e spitalit.



Skip to toolbar