Zjarrfikësi Kapaj rrëfen sesi e shpëtuan Ramë Lalën: Kishim shpresë dhe për të tjerë…

AKTUALITET


Komandanti i grupit të Zjarrfikësve në Durrës Nadir Kapaj i ftuar në studion e emisionit “Real Story” ka rrëfyer momentet e para të operacionit, si dhe çastin kur kanë arritur në ndërtesën e shembur të familjes Lala. Kapaj ka treguar sesi e ka gjetur gjallë Ramë Lalajn, i cili kërkonte ujë. Ai u shpreh se më tej ka mbajtur kontakt të vazhdueshëm me Ramën, i cili fatmirësisht arriti të shpëtojë gjallë.

“Me datë 25 kam qenë në shërbim. Por, kemi punuar me orare të zgjatura. Gjatë rrugës, grupin e kam pozicionuar në dy zona. Një grup e kam dërguar në vilën 4-katëshe në Kënetë, kurse një grup e kam dërguar për shpëtim në zona të tjera. Te vila 4-katëshe, një komshi i tyre më ka treguar situatën. Ai na tha se në tërmetin e parë, i kishte ftuar ata për të pirë diçka, por familja Lala nuk kishte pranuar të dilte, por të gjithë bashkë ishin mbledhur në një dhomë. Ai na tregoi pak a shumë te cila dhomë ishin mbledhur. Unë jam futur direkt në gërmadha dhe kam dëgjuar zërin e Ramë Lalës që kërkonte ndihmë, nuk ia dija emrin fillimisht. Hapa vendin dhe doja që të merrte ajër. Kam komunikuar vetë me Ramën dhe me një të çarë të vogël komunikoja me të. Kërkonte ujë dhe i çova. Derisa e kemi nxjerrë nga godina, i kemi dhënë ujë. Instinkti na shtyu që do ta mbanin patjetër atë person në kontakt. Kam 18 vjet që punoj si zjarrfikës. Unë kam ndihmuar sikur ndihmoja fëmijën tim. Ne fatmirësisht Ramën e nxorëm gjallë, ndërsa shpresonim që të nxirrnim gjallë edhe të tjerët. Ramë Lala ishte gjallë vetëm. Ne shpresonim që të gjithë të ishin gjallë, por mënyra si kishte rënë objekti, ishte shumë e vështirë të nxirrje gjallë persona që aty”, tha ai.



Skip to toolbar