Shtyhet seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, në lidhje me dosjen e njohur “Partizani”.
Shkak për shtyrjen e saj u bë mungesa e avokatit Sokol Hazizaj.
Mesohet se seanca do të mbahet më 17 prill, në orën 09:30.
SPAK nisi hetimet për Berishën me akuzën e korrupsionit pasiv, pasi ka dyshime se ka nxjerrë akte nën ligjore për t’i ardhur në ndihmë dhëndrit të tij me qëllim përfitimin e pronës në kundërshtim me ligjin.
Ndërsa Malltezi u hetua për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Për Berishën e Malltezin, por edhe 3 persona të tjerë u caktuan masa sigurie prej tetorit të vitit 2023.
Ish-kryeministri Sali Berisha refuzoi të zbatonte masën e parë të caktuar nga Gjykata e Posaçme dhe ndaj tij u caktua masa e dytë ajo e arrestit në shtëpi.
Pas qëndrimit në banesë për më shumë se 11 muaj, atij iu shfuqizua masa shtrënguese, por me vendim të Apelit të Posaçëm në janar të këtij viti iu caktua “detyrim paraqitje”.
Për fatin e dosjes së Sali Berishës do të vendosë gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila do të japë vendim nëse dosja do kalojë për gjykim ose jo.