Zveçla: Serbia e përfshirë në sulmin terrorist, ndër të vrarët edhe truproja i Vulin

KOSOVA


Autoritetet kanë konfirmuar sot (e mërkurë) që njëri nga terroristët e vrarë gjatë operacionit policor të së dielës është edhe Bojan Mijailoviq, truproja i shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, përmes një psotimi në rrjete sociale ku shfaqi edhe foton e tij.

“Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, truproja i shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013”, shkroi Sveçla.

Ministri i Brendshëm u shpreh se tashmë konfirmohet se Serbia është e përfshirë në sulmin terrorist me qëllim destabilizimin e Kosovës.

“Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, vijoi Sveçla.

Sveçla u shpreh se këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi.

“Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë”, tha Sveçla.

Në fund, ministri i Brendshëm shprehu mirënjohje për qëndresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar asnjë civil.



Skip to toolbar