Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri dhe po kujdeset që paratë e saj prej 2 milionë dollarësh do të përdoren siç duhet nga SPAK, i cili do të nisë shumë shpejt hetimet dhe do të vërë para drejtësisë zyrtarët e korruptuar dhe bosët e krimit në Shqipëri. Përmes një video informuese, SHBA njofton se SPAK do të ngrihet shumë shpejt dhe për këtë po kujdeset deri në detajet më të vogla qeveria e SHBA-së, e cila madje do të angazhojë 35 prokurorë amerikanë dhe federalë që po mësojnë legjislacionin penal shqiptar dhe që do të kryejnë trajnime të anëtarëve të SPAK në mënyrë që prokurorët shqiptarë të kenë të gjitha mjetet për të luftuar krimin dhe korrupsionin. SHBA gjithashtu siguron se drejtësia e re do të funksionojë jashtë çdo ndikimi politik apo ndikimi tjetër të papërshtatshëm.
“Ditëve të shkuara të zyrtarëve të korruptuar dhe bosëve të krimit që ishin të paprekshëm, po u vjen fundi. Ditët e shkuara të drejtësisë selektive do të zëvendësohen nga drejtësia për të gjithë. Një strukturë e re anti korrupsion po krijohet me mbështetjen e SHBA-së, e cila do të ketë në shënjestër këta individë që ia kanë dalë që të shmangin ndjekjen penale nëpërmjet kontrollit të emërimeve dhe lidhjeve personale. Struktura e posaçme anti korrupsion dhe krimit të organizuar ose SPAK do të funksionojë së shpejti. Me t’u ngritur do të shënjestrojë korrupsionin e nivelit më të lartë. SHBA janë të përkushtuara që SPAK do të ngrihet dhe do të funksionojë në mënyrë të pavarur. Më mbështetjen e tyre prej 2 milionë dollarësh SHBA po ndërtojnë themelet e SPAK”, njofton SHBA.
Ajo siguron se këshilltarët ligjore të Ambasadës po punojnë me institucionet shqiptare të drejtësisë dhe partnerët ndërkombëtarë për të zhvilluar themelet e SPAK-ut. “Po ndihmojnë në ngritjen e institucionit të SPAK nëpërmjet praktikave transparente dhe do të mbështesim institucionin në detyrat e tij të hetimit dhe ndjekjes penale. Po mbështesim zhvillimin e rregulloreve për procedurat e brendshme për ngritjen e SPAK. Këto rregulla do të ndërtojnë një proces të bazuar në meritë dhe që garanton promovime të cilat janë të lira nga ndërhyrjet politike apo të ndonjë lloji tjetër të papërshtatshëm. Ofrojnë mbikëqyrje për raste hetimore. Përkrah partnerëve të tjerë po vëzhgojmë për t’u siguruar që çështjet e duhura do t’i kalojnë SPAK”, thekson SHBA.
Sipas saj, sistemi i ri i drejtësisë siguron dy gjëra: pavarësi më të madhe të hetimeve nga ndikimi politik dhe lloje të tjera ndikimesh të papërshtatshme, por edhe llogaridhënie më të madhe. “Synimi është të sigurohen hetime, ndjekje penale më të mira dhe dhënia fund e pandëshkueshmërisë për korrupsionin në nivelin e lartë dhe krimin e organizuar”, thekson SHBA.
Në videon e saj SHBA njofton se këshilltarët ligjorë të ambasadës po këshillojnë prokurorët shqiptarë që punojnë mbi çështje penale ekzistuese dhe po i trajnojnë këta prokurorë.
“Këtë vit po punojmë nëpërmjet programit të partneritetit Nju Xhërsi-Shqipëri për të identifikuar 35 prokurorë nga Nju Xhërsi dhe federalë për t’i trajnuar për legjislacionin e ri penal në Shqipëri. Nga fillimi i vitit 2020 prokurorët amerikanë do të ofrojnë trajnime për SPAK për çështje të tilla si lufta ndaj korrupsionit, pastrimi i parave, trafikimi i njerëzve, për t’u siguruar që prokurorët e SPAK i kanë mjetet për të vënë në shënjestër krimin dhe korrupsionin në nivelin e lartë”, njofton SHBA.
SPAK është drejtë vënies në funksion. Së fundi, tre kandidatë kanë depozituar kërkesën për t’u bërë drejtues të SPAK. Ata janë Arben Kraja, Edvin Kodili dhe Altin Dumani. Më 25 nëntor Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi 8 prokurorët e parë që do të çelin për herë të parë, Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK. Prokurorët do të kenë një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Ata priten të betohen para presidentit të vendit, Ilir Metës për detyrën e re më 19 dhjetor dhe vendimi do te botohet në Fletoren Zyrtare. Prokurorët e parë të SPAK janë: Altin Dumani, Arben Kraja, Klodian Braho, Enkeleda Millonai, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini, Behar Dibra.