Vlerësimi amerikan për opozitën parlamentare, pavarësisht akuzave të opozitës jashtë Kuvendit nuk ka kaluar pa vëmendje edhe gjatë vizitës së zyrtarit të DASH në Tiranë, i cili ka mënjanuar nga takimet vetëm kreun e shtetit, Ilir Meta.
Kryetarja e grupit demokrat në parlament Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni kanë zhvilluar një drekë pune me Drejtorin për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik, për të cilën deputetja Hajdari ka zbuluar edhe çfarë është diskutuar në takim.
“Së bashku me Ralf Gjonin patëm një takim dreke me drejtorin e ri për Ballkanin Perëndimor David Kostelancik, nga Departamenti i Shtetit për të diskutuar reformën zgjedhore. Të lumtur që patëm mbështetjen e tyre të plotë”, shkruan Hajdari në Twitter. Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit është takuar me krerët e politikës shqiptare gjatë gjithë ditës së mërkurë, ku në takimin me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, deklaroi se SHBA-të mbështesin fuqishëm realizimin e reformës në Drejtësi dhe procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ai gjithashtu ka kërkuar që brenda vitit qeveria dhe opozita të miratojnë ndryshimet në reformën zgjedhore, e cila është kyçe për rolin e Shqipërisë si drejtuese e presidencës së radhës së OSBE-së, rol ky që Shqipëria e merr për herë të parë në histori. Pikërisht në frymën e mbështetjes për realizimin e reformës zgjedhore, takimet e tij janë shtrirë edhe me opozitën parlamentare, e cila është e vetmja me përfaqësim institucional pas djegies së mandateve nga ana e opozitës në shkurt të këtij viti.