1.2 ton kokainë nga Karaibet, mediat greke: U sollën me jaht, organizator, një shqiptar

AKTUALITET


Mediat fqinje kanë zbuluar detaje të reja nga operacioni në Astakos të Aitoloakarnania në Greqi, ku u kapën 1.2 ton drogë, si dhe u arrestuan 4 shqiptarë. Sipas CCN grek organizator i trafikimit të drogës ishte një shqiptar emri i të cilit është shumë i njohur në fushën kriminale.

Itinerari i ngarkesës prej 1.2 ton kokaine, ishte nga ishujt Vincent në Karaibe drejt pjesës lindore të Greqisë, ku ishte vendosur në disa dhoma me qira në një zonë të banuar të Astakos. Transportimi i drogës u bë me jaht, në të cilin u gjetën edhe kallashnikovë e pistoleta që u konfiskuan nga policia.


Nga Greqia, droga do të merrej nga persona të tjerë për ta çuar jashtë vendit.

Nga operacioni i kapjes së drogës në bashkëpunim me DEA-n amerikane u arrestuan 4 shqiptarë dhe 3 grekë, por nuk dihet ende nëse shqiptari që konsiderohet si koka e trafikut është mes të arrestuarve apo jo.

Greqia ishte planifikuar që të ishte ndalesa e parë e kokainës dhe më pas do të shpërndahej, një pjesë në Europën Veriore dhe pjesa tjetër në Afrikën e Veriut.

Operacioni ende nuk ka përfunduar, pasi në kërkim është shpallur një 42-vjeçar grek. “Autoritetet greke po bashkëpunojnë në hetime për rastin edhe me palën shqiptare dhe atë spanjolle” citojnë mediat greke burime nga autoritetet në Athinë.

Në shtator të vitit të kaluar u zbulua në portin e Pireut një tjetër sasie e madhe kokaine që ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Durrësin.




Skip to toolbar