Kryetari i PD-së Lulzim Basha do të mbledhë pasditen e së enjtes ish deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së dhe Kryesinë e Partisë, në një mbledhje që do të zhvillohet në orën 18:00 në selinë e PD-së.
Në qendër të diskutimeve do të jetë aktualiteti politik, situata pas tërmetit, paketa anti-shpifje e miratuar nga maxhoranca si dhe hapat që do të ndërmarrë opozita në vijim.
Takimi vjen një ditë pas vendimit të gjykatës për ish-deputetin Salianji, e cila vendosi ta dënojë me 1 vit burg me akuzën e kallëzimit të rremë.
Menjëherë pas vendimit të gjykatës reagoi kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili mori në mbrojtje ish deputetin dhe akuzoi gjykatën, si të korruptuar dhe palë me krimin.
“Në këto 6 vjet ne jemi përballur me padrejtësinë dhe hakmarrjen politike të Edi Ramës sa herë kemi denoncuar lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe me aferat korruptive. Për pothuajse të gjithë përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike, drejtësia e kapur ka vendosur sipas urdhrit dhe interesit politik të Edi Ramës, duke u bërë palë me këtë pushtet të kriminalizuar dhe të korruptuar. A na e ka mbyllur gojën dot ne Edi Rama me të korruptuarit dhe kriminelët e tij në polici, prokurori dhe gjyqësor? Jo! Dhe nuk ka për t’ia dalë kurrë!”, deklaroi Basha.
Pritet që edhe kjo çështje të jetë pjesë e diskutimeve në mbledhjen e grupit parlamentar dhe kryesisë së PD-së.