Policia e Shtetit në bashkëpunim me policinë greke por edhe me DEA-në amerikane ndërmorën operacionin ndërkombëtar “KUITO”, përmes të cilit sekuestruan 137 kg lëndë narkotike kokainë.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan dy persona ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Drejtori i policisë Ardi Veliu bëri të ditur në një deklaratë për mediat se operacioni anti drogë ka nisur që në muajin gusht dhe ka përfunduar me sukses të premten. Veliu tha se personat e arrestuar ishin pritësit e lëndës narkotike në Durrës.
“Në përfundim të këtij operacioni, në funksion të dorëzimit të kontrolluar u sekuestrua 137 kg lëndë narkotike, kokainë dhe u arrestuan shtetasit: A. B., 53 vjeç dhe A. M., 35 vjeç, të dy banues në Durrës, si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. M. Gjatë hetimeve të deritanishme rezulton se këta shtetas ishin pritësit e kësaj lënde narkotike në Durrës.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Portin e Durrësit, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontenieri ku ndodhej në sheshin e kontenierëve dhe dërgimin e saj në një zonë të sigurtë që ata mendonin, por që është sekuestruar nga Policia gjatë operacionit.
Të gjitha veprimet e kryera nga shtetasit e mësipërm ishin të mbikëqyrura nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilët bënë të mundur sekuestrimin e të gjithë lëndës narkotike, arrestimin e dy shtetasve dhe shpalljen në kërkim të një tjetri, për veprat penale “Trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”.
Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vazhdon punën intensive për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal”, tha Veliu.
Kurthi i policisë: Në vend të drogës oriz dhe GPS
Por për të rënë në gjurmët e trafikantëve, policia zëvendësoi kokainën me oriz në të cilën vendosën GPS për të qenë në ndjekje të lokacionit të personave që mund të merrnin lëndën narkotike. Ky kurth i policisë u ndoq për të mos humbur gjurmët e trafikantëve.
Të arrestuar janë dy punonjës të Portit të Durrësit, Ardian Bega dhe Altin Mislihaka, ndërsa 4 persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia, njëri prej të cilëve me inicialet G.M. Duke përdorur bexhin si punonjës të portit, ata janë afruar pranë kontenierëve çka solli dhe arrestimin e tyre. Gjykata vendosi të enjten masën e sigurisë arrest me burg për të arrestuarit.
Nga Ekuadori ishin nisur një numër i madh kontenierësh me banane, në një anije. Rreth 100 kontenierë ishin me destinacion final Pireun, disa të tjerë vendet e BE-së, dhe 4 me destinacion Shqipërinë. Autoritetet greke kontrolluan kontenierët me destinacion Pireun, ku gjetën rreth 500 kilogramë kokainë duke zbërthyer një grup të strukturuar kriminal.
Ndërkohë për 4 kontenierët që do vinin në Shqipëri, kërkuan bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare, duke lejuar kalimin e tyre nga porti i Pireut, për tu zbuluar në Portin e Durrësit, nëse mund të gjendeshin edhe bashkëpunëtorët e grupit të strukturuar kriminal.
Kokaina e fshehur në kontenierë me banane është një histori e përsëritur, pas sasisë më të madhe të kokainës të kapur ndonjëherë në Shqipëri: 613 kilogramë kokainë në kontenierët e kompanisë “Arbi Garden” në mars të vitit 2018 në Portin e Durrësit. Pronari i kontenierëve, Arbër Çekaj, është ekstraduar së fundi nga Gjermania, dhe do të përballet me akuzat e trafikut të drogës. Edhe në atë operacion, policia e evidentoi kokainën në kontenierët në Portin e Durrësit, por e la të shkonte në magazinat në Maminas për të kapur në flagrancë anëtarët e grupit kriminal.