Kurti: Ndryshoj nga Rama, por do bashkëpunojmë

AKTUALITET


Albin Kurti dhe Edi Rama kanë biseduar për shumë orë bashkë mbrëmjen e së premtes, në një takim informal të realizuar pas 14 muajsh, për të cilin Kurti thotë se pavarësisht se janë dy politikanë të ndryshëm, ata do të punojnë për të ndërtuar ura për Shqipërinë dhe Kosovën.

Kreu i Vetëvendosjes, tha se ai dhe Rama janë politikanë të ndryshëm por kjo nuk krijon asnjë ndasi në bashkëpunimin mes tyre për të mirën e qytetarëve të dy shteteve shqiptare.

“Kosova dhe Shqipëria duan të ndërtojmë sa më shumë ura që qytetarët mos të jenë më të varfrit në Ballkan. Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara ne jemi njerëz të ndryshëm politikanë të ndryshëm dhe duam të bashkëpunojmë që mospajtimet që kemi kurrsesi të mos rrëzojnë bashkëpunimin tonë. Ne jemi dy funksione për të bashkëpunuar për të mirën e qytetarëve”, tha Kurti.

I pyetur për min-shengenin e Ballkanit, kryeministri i zgjedhur i Kosovës u tregua skeptik: “Pres ta shoh një tekst se çfarë saktësisht nënkupton ai, se më shumë më ngjan me ide, sesa projekt në letër”.

Ndërsa për idenë e hedhur nga Rama për një ministër të përbashkët shteti, Kurti tha se edhe kjo temë është diskutuar me Ramën dhe do të avancojë më vonë. “Ne kemi diskutuar për çështjet dhe temat që do bashkëpunojmë, organigramet e qeverive vijnë më vonë”, u përgjigj Kurti. Ai thotë se do të vijojë tradita e mbledhjeve të përbashkëta të qeverisë Shqipëri-Kosovë dhe se më e rëndësishme sipas tij është zbatimi i marrëveshjeve të arritura.

Padia që kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama i ka bërë ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk ishte pjesë e këtij takimi, tha kreu i Vetëvendosjes.

I pyetur për dialogun me Serbinë, kryeministri i ardhshëm i Kosovës tha se do të jetë ai që do ta drejtojë këtë dialog dhe se takimi i ardhshëm pritet të mbahet në pranverën e vitit 2020, përpara zgjedhjeve në Serbi. “Nuk mund të prisni marrëveshje”, tha Kurti. Sa i përket heqjes së taksës 100 % të produkteve serbe në Kosovë, ai tha se kjo do të bëhet me kusht njohjen e reciprocitetit ekonomik dhe tregtar.

“Ne kemi nevojë për dialog me Brukselin dhe Beogradin. Do të takohem me pasardhësin e zonjës Mogherini, dhe dialogu i ardhshëm të mos dështojë. Për marrëveshjen me Serbinë, duhet të ndryshojë Serbia shumë më shumë se sa Kosova. Dialogun e ardhëm me Serbinë do e udhëheq unë. Pranverën e vitit të ardhëm dialog me Serbinë, para zgjedhjeve. Nuk mund të prisni marrëveshje, ne presim substancën e marrëveshjes”, tha Kurti në një prononcim për gazetarët në samitin e Paqes dhe Sigurisë për Europën Juglindore që po zhvillohet në Tiranë.



Skip to toolbar