23 vatra zjarri në 24 orët e fundit në vend, dy mbeten në monitori

AKTUALITET


Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, duke raportuar për 23 vatra zjarri. Aktualisht, dy prej tyre vijojnë të jenë në monitorim, ndërsa pjesa tjetër është neutralizuar nga strukturat operacionale.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 445 forca operacionale. Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar gjithashtu 65 efektivë të Forcave të Armatosura, tre automjete zjarrfikëse të FA-së, dy helikopterë dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Në Dajt, zjarri është fikur dhe zona vijon të mbahet nën monitorim nga strukturat vendore. Ndërkohë, në Priskë, flakët janë shuar plotësisht.

Në Çikallesh dhe Leshtej-Collak, në bashkinë Kavajë, operacioni përfundoi pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse nga disa bashki, të mbështetura edhe nga ajri.

Zjarri në Mushnik, në bashkinë Rrogozhinë, është shuar, ndërsa në Mallakastër, në zonën Ndrenie–Vlosh–Panahor, vijon operacioni për shuarjen përfundimtare të vatrës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarri mbetet aktiv nën kurorë në krahun verior dhe po mbahet nën monitorim.

Në Plan të Bardhë, në bashkinë Klos, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së pesë automjeteve zjarrfikëse dhe 26 efektivëve të MZSH-së, me mbështetjen e forcave të Policisë, strukturave bashkiake, vullnetarëve, OSHEE-së dhe 25 efektivëve të Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, zjarret në Kostren 2, bashkia Berat, dhe Uruçaj, bashkia Peqin, janë shuar plotësisht.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se edhe vatrat e tjera të raportuara gjatë 24 orëve të fundit janë neutralizuar nga strukturat operacionale.

Aktualisht nuk raportohet asnjë vatër problematike që të paraqesë rrezik për zonat e banuara. Dy zonat e mbetura vijojnë të jenë në monitorim.



Skip to toolbar