350 miliardë dollarë/ BE ndryshon strategji, do përdorë asetet e ngrira ruse për të ndihmuar me armë Ukrainën

BOTA


Mbështetësit evropianë të Ukrainës do t’i përdorin mjetet e fituara nga asetet e ngrira ruse, për ta financuar blerjen e armatimit për Kievin. Kështu tha kancelari gjerman, Olaf Scholz, të premten pas një takimi në Berlin me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin polak, Donald Tusk.

Scholz, Macron dhe Tusk e ritheksuan mbështetjen e tyre për Ukrainën gjatë atij takimi. Duke folur në një konferencë për media pas takimit, Scholz tha se përfitimet nga asetet e ngrira të Rusisë në Evropë, do të përdoren për blerjen e armëve.

Mbështetja evropiane për Ukrainën është bërë tepër e rëndësishme, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, po e ka të vështirë ta bindë Kongresin amerikan ta miratojë një paketë prej 60 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake për Kievin.

Zyrtarët e Perëndimit po shkojnë drejt konfiskimit të aseteve të ngrira financiare të Rusisë, në vlerë rreth 300-350 miliardë dollarëve, për ta mbështetur Ukrainën. Pothuajse shumica e gati 210 miliardë eurove të rezervave ruse të bllokuara në BE – para së gjithash obligacionet dhe llojet e tjera të garancive në të cilat kishte investuar Banka Qendrore e Rusisë – po mbahen në depozituesin e quajtur Euroclear në Bruksel.

Liderët e BE-së mund ta japin dritën jeshile për një vendim të tillë në fund të këtij muaji. Disa në bllok kanë ende dyshime, megjithatë, dhe Banka Qendrore Evropiane ka paralajmëruar se marrja e aseteve të ngrira ruse duhet të bëhet vetëm në bashkëpunim me fuqitë e G7-ës.



Skip to toolbar