Megjithëse stuhia Danel mbaroi, rajoni qendror i Greqisë mbetet ende në kaos.
6 persona humbën jetën në vendin fqinj tre ditët e fundit, ndërsa mijëra të tjera kanë mbetur në qiell të hapur pasi banesat e tyre u përmbytën.
Niveli i ujit ka nisur të bjerë në zonat e banuara por rreziku mbetet aktiv në afërsi të lumit Pinio, i cili ka shënuar rekord duke arritur në mbi 9 metra.
Autoritetet kanë evakuuar banorët që rrezikojnë më shumë.
Sasia e shiut që ra në një ditë gjatë stuhisë në Greqi po vlerësohet sa sasia mesatare që bie për një vit në Londër.
Kryeministri Mitsotakis anuloi mbledhjen vjetore të ekonomisë për të vizituar zonat e prekura.
Deri më tani dëmet konsiderohen në mbi 2 miliardë euro, kryesisht në sektorin e bujqësisë. Zonat e përmbytura në Thesali përbëjnë rreth 15 për qind të prodhimit vjetor bujqësor të vendit. Është gjithashtu një nga zonat më të mëdha të prodhimit të pambukut.
Shirat e rrëmbyer kanë lënë pas më shumë se një metër baltë në tokat bujqësore e cila ka shkatërruar jo vetëm prodhimin e këtij viti por do të lërë pasoja edhe për vitet e ardhshme.