9 akuza për shkarkimin e Metës. Raporti i plotë që do miratohet të hënën

AKTUALITET


Ditën e hënë në orën 17.00 deputetët do të mblidhen në një seancë parlamentare ku do të miratojnë raportin e hartuar nga Komisioni i Ligjeve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta me argumentin se ka shkelur Kushtetutën me firmosjen e dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Më herët realstory.al ka publikuar raportin e miratuar nga Komisioni i Ligjeve. Pikërisht i njëjti dokument do të miratohet edhe në seancën e së hënës, për t’i hapur më pas rrugën procedurave të tjera parlamentare, siç është ngritja e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit. Pas kësaj parlamenti do të miratojë raportin përfundimtar që do të propozojë komisioni hetimor dhe në fund fare pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë çdo lloj vendimmarrje të parlamentit vendim të formës së prerë.

Por çfarë përmban raporti që Komisioni i Ligjeve dërgon në seancë? Raporti ka përmbledhur të gjitha shkeljet e kushtetutës që ka bërë presidenti përmes vendimit të tij ose të thëna ndryshe 9 akuza drejtuar presidentit.

Në raport shkruhet se presidenti Meta ka cenuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit, ka shkelur Kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe Kuvendit, është sjellë arbitrarisht me pushtetin, ka anuluar arbitrarisht datën e zgjedhjeve, ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve, ka cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira, ka cenuar parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, ka nxjerrë një akt në kundërshtim të hapur me ligjet si dhe ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Pjesë e hetimit do të jetë edhe shkresa e Komisionit të Ligjeve drejtuar presidenti të cilin e ftonte të merrte pjesë në një seancë dëgjimore në komision për të argumentuar vendimin e tij, ftesë kjo që mori përgjigje negative nga institucioni i Presidencës, përmes një letre të dërguar nga sekretarja e përgjithshme e Institucionit të Presidencës. Komisioni i Ligjeve shkruan në raport se ko letër e titullares së presidencës përmban një gjuhë joetike, ironike, fyese dhe tejet ofenduese dhe aspak të denjë për institucionin që përfaqëson kreun e shtetit, ndaj deputetëve, Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe ndaj Kuvendit, nëpërmjet sekretares së përgjithshme, Presidenti i Republikës qartazi dëshmoi se nuk kishte interes të dëgjohej gjatë shqyrtimit të kërkesës në Komision.

9 akuzat e Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës

Ka cenuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit (në kundërshtim me nenin 2, pika 1 të Kushtetutës);

Ka shkelur Kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe Kuvendit;

Është sjellë arbitrarisht me pushtetin, përkundër natyrës së Republikës Parlamentare (në kundërshtim me nenin 1, pika 1, të Kushtetutës);

Ka anuluar arbitrarisht datën e zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 92, germa “gj”, të Kushtetutës dhe nenin 8, 9 dhe 10 të Kodit Zgjedhor);

Ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve (në kundërshtim me nenin 1, pika 3 dhe nenin 109 të Kushtetutës);

Ka cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira (në kundërshtim me nenin 1, pika 3, të Kushtetutës);

Ka cenuar parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë (në kundërshtim me nenin 4 paragrafi i dytë i Kushtetutës dhe nenin 4 të K. Pr. Administrative);

Ka nxjerrë një akt në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjet;

Ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur (në kundërshtim me nenin 45, pika 1, të Kushtetutës).



Skip to toolbar