Fluturimi me deltaplan dhe paraglide, forcohen rregullat për lejet

AKTUALITET


Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar për miratimin e rregullave të reja për të gjitha fluturimet me deltaplan ose me paraglide, të cilat do të shërbejnë për një organizmin më të mirë të këtij aktiviteti.

Sipas njoftimit, sanksionohet që krahas njoftimeve e miratimeve në AAC, koordinimit me OSHLA, në të shumtën e rasteve, do të njoftohen edhe organet vendore dhe pronari i tokës që do të përdoret si vend ulje apo ngritje.

Gjithashtu, AAC tha se rregullat për përcaktimin e vendeve për ngritjen dhe uljen e deltaplanëve dhe paraglajdëve, regjistrimi i tyre, rregullat për përdorimin e këtyre vendeve si dhe të zonave të lejuara, të parashikuara në të detajohen duke i ardhur më në ndihmë përdoruesve dhe duke mos lënë vend për paqartësi.

Në urdhrin e dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, janë përfshirë gjithashtu kushtet për prodhimin, përdorimin dhe mirëmbajtjen e deltaplanëve dhe paraglajdëve, të cilat nuk parashikohen në urdhrin e shfuqizuar.

AAC tha se nenet për trajnimin, provimet, licencat dhe kategorizimet për pilotët e tyre si dhe kushtet që duhet të plotësohen nga personat juridikë lidhur me miratimin e organizatave trajnuese për kryerjen e trajnimit për pilotë që pajisen me licencë janë përmirësuar.

Në fund të njoftimit Autoriteti i Aviacionit Civil,  ka bërë apel për të gjithë personat që operojnë në këtë fushë që të kontaktojnë me Autoritetin për çdo paqartësi në vijim.



Skip to toolbar