Autoritetet shëndetësore në Kosovë thanë të hënën (6 shtator) se janë regjistruar edhe 28 viktima të reja nga sëmundja COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë në raportin ditor për situatën epidemiologjisë thotë se janë shënuar edhe 489 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.
Shifra bazohet në 6.310 mostra të testuara në laboratorët publikë dhe privatë.
Llogaritur në përqindje del se 7.7 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë.
Sëmundjen e kanë mundur edhe 859 qytetarë, derisa raste aktive janë 25.290.
Më herët, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi se tetëdhjetë e tre pacientë me koronavirus, të shtrirë në spitalet e Kosovës, janë në gjendje të rëndë. Një ditë më herët, numri i pacientëve në gjendje të rëndë ishte 87.
Në total, në spitalet e Kosovës janë 1,115 pacientë pozitivë me koronavirus.
Sipas njoftimit të SHSKUK-së, 1,038 prej tyre janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.
Numrin më të madh të pacientëve me koronavirus e ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës: 431.