Shqipëria “blindon” mbrojtjen/ Kuvendi miraton huanë prej 300 milionë eurosh me SHBA, PD bojkoton

#NËRADAR


Parlamenti ka miratuar me 74 vota pro, zero kundër dhe asnjë abstenim, marrëveshjen e huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për financim ushtarak.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk morën pjesë në seancë, duke bojkotuar votimin siç kishin paralajmëruar më herët.

Diskutimet në Kuvend u mbajtën me dyer të mbyllura, pasi mazhoranca argumentoi se dokumenti përmban informacion të klasifikuar.

Marrëveshja, siç e tha dhe kreu i Grupit Parlamentar të PS,  Taulant Balla,parashikon blerjen e pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s, ndërsa fondet do të disbursohen sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë, me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit që konfirmon fuqishëm marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me SHBA-të. Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajisje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve më të larta të NATO-s”, tha Taulant Balla.

Sipas tij, Shqipëria do të ketë 48 muaj kohë për të aktivizuar fondet dhe deri në 12 vjet për shlyerjen e huasë. Ai theksoi se kjo marrëveshje është historike për Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj me SHBA.

“Kjo është historike për Shqipërinë, me rëndësi të veçantë. Konfirmon fuqishëm marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me SHBA. Mbetemi aleatë të SHBA, të udhëhequr nga Donald Trump.”

Për kreun e grupit të PS, kjo marrëveshje ka dy objektiva për Shqipërinë.

“Të rrisim kapacitetet tona mbrojtëse, si dhe të përmbushim detyrimet ndaj NATO-s deri në 2035, shpenzimet për mbrojtjen në 5%.”



Skip to toolbar