Pas deklaratës së Enkelejd Alibeaj, kryetarit të Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit në lidhje me mosmbajtjen mbledhjes së sotme për shkak të mungesës së anëtarëve të PS-së, vjen një reagim nga nënkryetarit Toni Gogu.
Ky i fundit, përfaqësues i maxhorancës, thekson se zoti Alibeaj ka vazhduar me shkeljen e rregullores. Sipas Gogut, në mirëbesim iu ishte propozuar kolegeve të opozitës që t’a vazhdonin mbledhjen ditën e enjte.
“Me keqardhje vura re sot sesi Zoti Alibeaj ka vazhduar shkeljen rregullores se Kuvendit dhe mirebesimit mes palëve. Përcaktimi i mbledhjes së ardhshme të Komisionit ishte pika e fundit në rendin e ditës dhe nevojitej të votohej nga Komisioni. Në kushtet e pamundësisë së votimit nga Komisioni të kësaj pike të rendit të ditës dhe njoftimit nga sekretaria në kohë të papërshtatshme dhe të padakortësuar, ndërkohë që kemi planifikuar aktivitete në zonat elektorale, u kemi propozuar kolegeve te opozitës t’a vazhdojmë mbledhjen ditën e enjte. Në frymën e bashkërendimit të punëve dhe shërbimit në mënyrën me dinjitoze interesit qytetar, lipset që te komunikojmë, të debatojmë, e te vendosim sebashku në frymën dhe germën e ligjit dhe jo të krijojmë furtuna në gota foltoresh.”, thuhet në reagimin e Gogut.
***
Alibeaj, akuza mazhorancës: Strategji për të penguar Komisionin Hetimor për zgjedhjet
Partia Demokratike akuzon Partinë Socialiste për bojkotim të Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit. Kryetari i Komisionit Hetimor, Enkelejd Alibeaj, foli për mediat ku tha se mosparaqitja e mazhorancës në mbledhjen e sotme është strategji e pastër për të penguar veprimtarinë e hetimit të masakrës zgjedhore.
“Duket fare qartë që mungesa e arsyeve, justifikimeve, nuk patën as kohë të na jepnin arsye sepse mungonin, duket që është një strategji e qartë, e pastër për të penguar veprimtarinë e hetimit të masakrës zgjedhore të 25 Prillit. E kuptoj fare mirë, por se realisht ata që janë nën akuzë jo vetëm prej nesh, është pikërisht kjo pjesë e mazhorancës. Mazhoranca është e dokumentuar si vjedhëse, shkatërruese e zgjedhjeve të 25 Prillit, është afërmendsh e pritshme që ata të bëjnë gjithçka për të penguar, për të zvarritur veprimtarinë e Komisionit Hetimor.
Kjo sjellje, nuk e prisja që të ndodhte në mbledhjen, pothuajse të parë, duke ditur edhe përgjërimet për shtrirje dore, për dialog, për rikthimin e veprimtarisë në forcë të plotë të parlamentit. Çudia e madhe ndodh, bojkot i parlamentit, bojkot nga mazhoranca.
Kjo tregon qartë se cila është qasja e Edi Ramës dhe kësaj mazhorancë që ka vjedhur zgjedhjet, ka vjedhur mandatet dhe do të përpiqet të bëjë gjithçka që të pengojë që në sytë e shqiptarëve të dalë e vërteta ashtu siç është defacto. Unë me kolegët kemi vendosur të ndjekim të gjitha hapat procedurialë që kushtetuta dhe ligji për Komisionet Hetimore përcakton. Do të njoftojmë fillimisht kryetaren e Kuvendit, e cila është ajo që ka nënshkruar vendimin për të cilin mblidhemi, do të njoftoj edhe konferencën e kryetarëve dhe jam i vendosur deri në fund sipas përcaktimeve të ligjit për Komisionet Hetimore, që mungesat pa arsye 3 herë janë një shkak ligjor për të kërkuar zëvendësimin e tyre. Kjo është ajo se çfarë Jemi të vendosur për të zbatuar ligjin dhe rregulloren. Mbi të gjitha për të bërë detyrën tonë karshi qytetarëve. Sot u demaskuan dhe këtë do e çojmë deri në fund. Po përfitoj edhe nga ky moment t’ju njoftoj që mbledhja tjetër e caktuar do të jetë ditën e premte ora 10.Ëshë ditë pune ku të gjithë ne të kryejmë detyrimin ndaj Kushtetutës, ligjit, nevojës së qytetarëve për të hedhur dritë dhe për të bërë transparencë për atë që ka ndodhur më 25 Prill“, tha Alibeaj.