Ilir Daja nuk do të jetë më trajneri i Partizan it. Derbi i humbur ndaj Tiranës në mënyrë të dhimbshme i ka vënë kapakun marrëdhënies mes tij dhe klubit të kuq pas rreth një viti e gjysmë bashkëpunim mes tyre. Gjithçka është mbyllur me një takim mes palëve.
TAKIMI PAS DERBIT
Ashtu siç vetë Daja e paralajmëroi, ai bashkë me presidentin e klubit, Gazmend Demin, dhe drejtorin e përgjithshëm të klubit, Olsi Ramën, janë takuar një ditë pas derbit, në orët e pasdites së datës 25 dhjetor në një nga lokalet e Tiranës për të folur në lidhje me mungesën e rezultateve dhe të ardhmen e klubit.
Në fakt, ka pasur shumë gjëra për t’u sqaruar, por nuk janë thënë shumë fjalë.
“Panorama Sport” mëson se e gjithë biseda mes palëve ka nisur me një pyetje të presidentit Demi, i cili ka kërkuar të dijë nga Daja se çfarë nuk po shkon me skuadrën dhe përse nuk po vijnë rezultatet, që janë kërkuar dhe pretenduar.
Trajneri Daja i është përgjigjur se me sa duket klubi ka mbërritur në pikën kur duhet të largohet trajneri, si përgjegjësi kryesor për rezultatet jo pozitive të ekipit. /Panorama/