Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu janë kërcënuar nga ish-Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.
Siç raportojnë mediat kosovare, Dedaj ka përmendur Kanunin, me arsyetimin se ndihet i rrezikuar nga “Klani Osmani“.
Ish-ambasadori Dedaj u shpreh në “Frontal” se është njeri i ligjit, por shtoi se përveç ligjit, te ai dhe familja e tij që vjen nga Malësia e Gjakovës, vepron edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit.
“Unë jam i ligjit, mirëpo na jemi shqiptarë. Nuk mundesh dikë që ja ki inati me e vra. Unë jam i rrezikum, nga Klani i Osmanit, i Vjosës dhe bashkëshorti i saj, nga njerëzit e saj dhe i listës Guxo. Nuk di që duhet me pasë kërcënim tjetër kur ta rrezikon jetën, të len të paftyrë, të hejk prej listës së pagave. Përveç ligjit të unë dhe familja ime te Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Nëse me shkel dikush, me vret dikush ka mu vra edhe ai. Edhe ai ka me pas pasoja. Presionin që janë kah ma bajnë”, tha Dedaj.
Pas këtyre deklaratave, ka reaguar Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani.
Përmes një shënimi në rrjetet sociale, Kupina ka thënë se ish-ambasadori i Kosovës ka kërcënuar Presidenten Osmani dhe familjen e saj me ato deklarata.
Ndërsa e ka quajtur Dedajn person të papërgjegjshëm, që sipas tij “për shkak të interesave meskine dhe prapaskenave të ulëta është katapultuar në pozitën e ambasadorit pa i plotësuar kriteret themelore, manipulon, përvetëson dhe kërcënon kreun e shtetit”.
“Pa asnjë hezitim, ai përdorë deklarimin në një emision live për të bërë kërcënim kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj, për të cilën gjë ai do të denoncohet në organet e rendit”, shkroi Kupina.
Reagimi i këshilltarit të Presidentes
Bekim Kupina
Është anakronike lehtësia e prezantimit në një pjesë të mediave e njerëzve që duan prortagonizëm me çdo kusht dhe të cilët përpiqen ta lustrojnë veten duke ndërtuar akuza të pabaza në raport me Presidenten e vendit.
Sjelljet dhe deklaratat skandaloze të qytetarit Gjergj Dedaj shpërfaqin nivelin e degradimit të shërbimit diplomatik në qeverisjet e kaluara.
Një person totalisht i papërgjegjshëm që për shkak të interesave meskine dhe prapaskenave të ulëta është katapultuar në pozitën e ambasadorit pa i plotësuar kriteret themelore, manipulon, përvetëson dhe kërcënon kreun e shtetit. Pa asnjë hezitim, ai përdorë deklarimin në një emision live për të bërë kërcënim kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj, për të cilën gjë ai do të denoncohet në organet e rendit.
Nuk mund të cilësohet profesional, promovimi nëpër studio televizive apo media online i diskursit nxitës, urrejtës dhe kërcënues.
Lajm do të duhej të ishte kërcënimi që Dedaj ia bën Presidentes së shtetit, porse jo gënjeshtrat e tij. Ky raportim i njëanshëm, kjo përmbysje e lajmit është në kundërshtim total me parimet profesionale në gazetari.
Kërcënimi i Dedajt është çështje që duhet të trajtohet nga organet e rendit dhe të drejtësisë.
Nuk arsyetohet në asnjë mënyrë dhënia e hapësirës mediale një personi, recidivist i keqpërdorimit të historisë familjare në funksion të përfitimeve personale.
Mediat nuk janë klinika për shërimin e komplekseve, prandaj të tillë persona duhet shmangen nga prezantimi publik në funksion të ruajtjes së higjienës në sferën e komunikimit me publikun.
Kjo ka të bëj para se gjithash me profesionalizmin.
Mos e vrisni lajmin!