Pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotme, ku humbi jetën një vajzë 3-vjeçare në spitalin Rajonal të Elbasanit, babai i viktimës ka dhënë një deklaratë për mediat.
Agim Islami, babai i shtatë fëmijëve të tjerë, ka thënë para kamerave që vajza u sëmurë para një jave dhe e kishte çuar për vizitë tek mjeku, ndërsa ky i fundit i kishte thënë se ishte thjesht një virozë e stinës.
Vajza ka nisur mjekimin me një kurë ilaçesh sipas babait, por shëndeti i saj është përkeqësuar sërish, kështu që familjarëve ju desh ta dërgonin sërish në spital, ndërsa e mitura ka humbur jetën pak orë më vonë.
“Deri dy vjeç e gjysmë s’sështë sëmurë asnjëherë. U sëmur para një jave, e solla për vizitë para dy-tre ditësh, doktori tha virozë. Më dha një qese me ilaçe edhe e çova në shtëpi dje, u bo goca keq ju nxi buza. E çova prapë në spital, mori dy bidona me serum dhe goca vdiq.
Kishte gati 8-9 ditë që vuante dhe s’ka qenë në këtë gjendje. Kur u bë në këtë gjendje e solla për vizitë dhe mjeku tha që është virozë dhe më dha ilaçe dhe kaq. S’na kanë thënë asgjë pse vdiq vajza, s’na kanë thënë asgjë”.
Ndërkaq, pritet një përgjigje përfundimtare nga ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës.