Borschardt te dera e shtëpisë e kërcënoi kandidatja e LSI

AKTUALITET


Hetimet për kërcënimin e ambasadorit të OSBE Bernd Borchardt në shtëpinë e tij, kanë nxjerrë në dritë fakte të reja. Një burim diplomatik i tha Realstory.al se Ana Azizaj, një nga kandidatet e LSI-së për deputete në zgjedhjet e 2017 në listat e Tiranës dhe një tjetër eksponent i kësaj partie, kanë qenë personat që janë ngjitur te hyrja e diplomatit të lartë dhe e kanë sharë e kërcënuar te dera e apartamentit.

Faktet janë zbuluar pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, megjithëse më herët Azizaj ishte shoqëruar në polici, por kishte pranuar se vetëm ka qenë e pranishme te pallati, ku jeton diplomati dhe mohuar t’i kishte shkruar ajo fjalët “Borschardt, shame on you”. Pas shoqërimit, pikërisht në mes të muajit Maj 2018, ndaj Azizajt priten të merren masa të tjera, pasi vepra penale për të cilën po hetohet është “Veprat e dhunshme ndaj personave të mbrojtur ndërkombëtarisht”. Sipas Kodit Penal, kjo vepër penale dënohet deri në 10 vite burg.

Sulmi ndaj familjes së ambasadorit të OSBE ndodhi më 11 maj, pas protestës së dhunshme të opozitës, ku pati rreth 84 persona të proceduar penalisht. Lajmi për sulmin ndaj Borschardt u bë publik nga gazetari Sokol Balla në emisionin Real Story në Vizion Plus. Parullat kundër ambasadorit të OSBE sollën reagime edhe nga ambasada e SHBA e përfaqësitë diplomatike të vendeve të BE në Tiranë, duke kërkuar nga liderët e opozitës që të distancohen nga akti. Reagimi më i fortë edhe nga kryesia e OSBE në Vjenë.

E reja Azizaj u mbajt një natë në qeli dhe mor në pyetje për rrethanat e ngjarjes ndërsa ka mohuar të ketë shkruar mbishkrimin “Boschardt turp të të vijë”. Pas marrjes në pyetje, ajo u la e lirë. Por kamerat e sigurisë në derën e Borschardt tashmë e kanë rikthyer atë subjekt nën hetim.

Ana Azizaj është një nga kandidatet e LSI-së për deputete në zgjedhjet e 2017. Ajo renditej e 36-ta, e fundit në listën e Tiranës. Në një vëzhgim në faqen e saj të Facebook, shihen foto të saj së bashku me ish-kreun e kësaj partie, Ilir Metën, kryetaren aktuale Monika Kryemadhi apo figura të tjera të LSI-së.  Azizaj ka qenë shumë aktive në të gjithë protestat e opozitës, por edhe në takimet e kësaj forcë politike. Azizaj, është një nga të rinjtë e LSI që organizuan dhe surprizën për ditëlindjen e Kryemadhit, ndërsa për të shkruan një dedikim “Inspirimi im”. Ana është e angazhuar me LRI-në dhe ka qenë tejet aktive edhe në protestat e studentëve, ku shpesh herë si udhëheqëse dhe me megafon në dorë, organizonte studentët në tubimet e tyre. Vetë kryetarja e LSI zonja Monika Kryemadhi u distancua nga ngjarja dhe kërkoi dënim të autorëve por në 13 maj LSI i kishte dalë asaj në mbrojtje përmes një deklarate të Petrit Vasilit, kur ajo u pyet nga policia. /realstory.al



Skip to toolbar