Negociatat, Holanda tjetër pengesë: Kushte Maqedonisë dhe Shqipërisë

AKTUALITET


Kërkesa e Komisionit Europian që rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është diskutuar në Parlamentin holandez. Ashtu si vitin e kaluar qëndrimi i parlamentit të Holandës nuk është shprehur pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë, duke ritheksuar se vendi ka ende punë për të bërë. Gjatë argumentit të tyre, parlamenti i kushton rëndësi të veçantë reformës gjyqësore ku kërkon nga Shqipëria që të arrijë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Deri në arritjen e tyre ajo kërkon që qeveria e Holandës të mos votojë pro propozimit të Komisionit Europian për hapjen e negociate me Shqipërinë për anëtarësim në BE. “Ne vlerësojmë hapat që Shqipëria ka bërë gjatë këtij viti, por ka ende shumë për të bërë në për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Shqipëria nuk ka pasur arritje të prekshme të mjaftueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Themelimi i Strukturës Speciale Anti-Korrupsion dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është i rëndësishëm në këtë kontekst. Derisa të plotësohen të gjitha kushtet, negociatat e pranimit me Shqipërinë nuk mund të fillojnë.”

Kritika i referohet ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorisë Speciale kundër Krimit SPAK, gjë që pritet të ndodhë deri në fund të muajit qershor. Duket se kjo do përdoret si argument për të shtyrë vendimin pozitiv, për në vjeshtë, çka është brenda pritshmërive edhe të Komisionit Europian, të Këshillit Europian të Ministrave, por edhe të qeverisë Shqiptare.


Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, qeveria holandeze theksoi se pavarësisht arritjeve pozitive që ka kryer gjatë një viti, ka ende disa kërkesa që duhet të përmbush, përpara se të hapen negociatat për pranimin e saj. “Maqedonia e Veriut duhet të shfaq në mënyrë konkrete se reformat për sundimin e ligjit duhet të zbatohen para se të hapen negociatat e pranimit. Vendi duhet të arrijë rezultate të qëndrueshme dhe të prekshme në fushën e gjyqësisë, sigurisë dhe administratën publike. Një hap i rëndësishëm ende për t’u marrë është miratimi i shpejtë i legjislacionit për statusin e ardhshëm të Prokurorit Special.” Deri në plotësimin e këtyre kushteve nuk mund të hapen negociatat për pranimin e saj.

Mocioni është propozuar nga deputeti i CDA, Pieter Omzigt, i cili ka qenë konsistent në qëndrimet e tij kundër Shqipërisë. Pak kohë më parë ky deputet, i cili ka lidhje të forta personale me Lulzim Bashën, ka botuar një shkrim në një revistë holandeze, ku bashkë me Azerbajxhanin dhe Turqinë, radhit edhe vendin tonë, si vende islamike që po tentojnë të vendosin Sharian, ose Ligjin Islamik sipas K’uranit. (shih fotot). Dhe për të ilustruar argumentin e tij të pavërtetë, ai e shoqëron atë me një foto ku duket një xhami. Në fakt bëhet fjalë për pazarin e vjetër të Krujës, qytetit simbol të rezistencës shqiptare ndaj pushtimit otoman jo vetëm të tokave shqiptare, por edhe të gjithë Ballkanit.  /realstory.al




Skip to toolbar