“Nuk është hera e parë që Shqipëria po përballet me një krizë politike dhe institucionale. Por kësaj radhe, ajo përputhet me një moment kritik për Ballkanin Perëndimor dhe për perspektivat e tyre evropiane” shkruan media greke “macropolis.gr”, e cila ka bërë një artikull të gjatë për situatën politike në Shqipëri. Sipas saj ka disa arsye pse kjo krizë shqetëson Athinën Zyrtare. E para lidhet me çështjet e lëna pezull mes dy vendeve dhe marrëveshjeve që janë arritur në parim, por ende nuk po gjejnë zbatim. Qeveria greke e konsideron Edi Ramën një njeri me të cilin mund të flasë dhe të paktën të ketë mirëkuptim për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe. Dy ish-ministrat e jashtëm të vendeve, Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati, mundën të arrijnë një marrëveshje në parim për disa çështje të pazgjidhura. Alexis Tsipras gjithashtu ka zhvilluar bisedime të shpeshta me homologun e tij shqiptar dhe në fakt gjatë takimit të tyre të fundit në kuadër të Samitit të Dubrovnikut në prill arritën të bien dakord mbi çështjen që lidhet me pronat e pakicës greke në Shqipëri. Megjithatë, kjo çështje është ende në pritje.
Ndërsa perspektiva e BE-së dhe qëndrimi i Greqisë për çeljen e negociatave është një tjetër arsye për t’u shqetësuar shkruan media greke. Shqipëria duket të jetë e destinuar të mos marrë një datë për të çelur negociatat e anëtarësimit me BE në Këshillin e ardhshëm të Evropës, në qershor. E ardhmja e saj evropiane po bëhet gjithnjë e më e turbullt që kur qeveria e Ramës është akuzuar për korrupsion. Athina zyrtare ka shqetësimin se kriza politike në Tiranë nuk do të ndihmojë në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje, e cila për Greqinë shihet si një parakusht i madh për shpresat e Shqipërisë për në BE. Më 30 maj, Athina paralajmëroi gjithashtu Tiranën duke nënvizuar se “Greqia po punon drejt përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë dhe mbështet kursin e saj të pranimit në Bashkimin Evropian, në kushtet e vetëkuptueshme që vlen për të gjitha vendet për anëtarësim, që ajo të plotësojë të gjitha kushtet përkatëse. Siç bëhet e qartë edhe në raportin përkatës të Komisionit Evropian, respektimi i të drejtave të minoritetit etnik grek lidhet drejtpërdrejt me perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe përbën një pjesë integrale të 5 prioriteteve kyçe për fillimin e negociatave të pranimit me BE, përmbushjen e i cili do të shqyrtohet ekskluzivisht nga Këshilli Evropian”.
“Është e sigurtë që Këshilli i ardhshëm i Evropës nuk do të japë pëlqimin e tij, sidomos pas dështimit të Bundestagut gjerman për të marrë ndonjë vendim për të mbështetur një datë për çeljen e negociatave me këto dy vende, si dhe duke pasur parasysh skepticizmin e disa vendeve anëtare të BE, vendimi ndoshta do të merret në vjeshtë.”- shkruan macropolis.gr
Ende nuk është e sigurt nëse qeveria aktuale greke do të kishte dhënë mbështetjen e saj të plotë ndaj Shqipërisë në Këshillin e ardhshëm të BE. Por edhe pse diplomatët grekë janë pro dhe kundër çeljes së negociatave ata besojnë se një zvarritje e procesit integrues të Shqipërisë nuk është në përfitim të Greqisë, pasi do të dëmtonte “stabilitetin e vendit fqinj dhe interesat kombëtare”.