Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Bledar Skënderi akuzon zyrtarë të lartë të opozitës se kanë ndërmarrë një sulm frontal ndaj 4 anëtarëve të KQZ-së. Ai shkruan në facebook se i gjithë ky sulm që bëhet gjasme në emër të demokracisë, në të vërtetë është vetëm luftë për pushtet.
Ai shkruan se i gjithë sulmi ka ardhur fill pas vendimit të KQZ-së për të mos e konsideruar dekretin e presidentit Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve.
“Pas zhdekretimit që Presidenti i Republikës i bëri dekretit të tij për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe qëndrimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (shumicës së anëtarëve) për vazhdimin e proçesit për zgjedhjet vendore të 30 Qeshorit, një sulm frontal dhe i paparë ndonjëherë ka filluar.
Zyrtarë të lartë të partive opozitare, analistë dhe opinionistë të (pa)varur, anëtarë dhe simpatizantë të këtyre partive, ku të mundin, me çfarë të mundin, me një fjalor denigrues, ofendues, shantazhues janë sulur të gjithë kundër 4 antarëve të KQZ”, shkruan Skënderi.
Ai sqaron se çdo vendim i marrë prej tij është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën dhe për më tepër është vendim që kushdo mund ta ankimojë. Ai gjithashtu sqaron se në postin e anëtarit të KQZ-së është zgjedhur nga Kuvendi dhe nuk i ka shërbyer asnjë partie politike.
“Këtu, shkurtimisht, do doja t’iu jepja një përgjigje gjithë ushtrisë së anatemuesve!
Jam në këtë detyrë, anëtar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, konform një procedure ligjore. Ligji është Bilba ime, e unë ushtar i Atdheut!
Vendimet e mia dhe të kolegëve janë në çdo rast të ankimueshme!
Të gjithë ata që më njohin e dinë shumë mirë se nuk kam përfituar asnjë gjë nga asnjë lloj pushteti!
Kudo ku kam qenë kam kryer detyrën time me profesionalizëm dhe përkushtim!
Kjo është një betejë e stisur, gjasme në emër të demokracisë, por në të vërtetë është luftë për karrigen e pushtetit! Dhe për të gjithë ata që duan t’i venë flakën Shqipërisë, për ambicjet e tyre personale për pushtet kam vetëm një përgjigje:
Historia ka për t’ju dënuar!
Unë nuk do të shkruaj asnjë gërmë në ato faqe të errëta!”, shkruan Bledar Skënderi.
KQZ vendosi pak ditë më parë që të vazhdojë përgatitjen e procesit zgjedhor të 30 qershorit, duke mos e marrë në konsideratë dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve. Anëtarët e KQZ-së, argumentuan se dekreti është nul dhe është në shkelje të Kushtetutës. Për këtë arsye ai nuk ka asnjë vlerë.