Baze: Pushteti okult i dyshes Berisha-Meta 

Më të fundit


Në një situatë normale, nëse do zbatoheshin ligjet e shtetit shqiptar, opozita Berisha-Meta kishte plot arsye të ankohej. Ajo do kishte më pak kohë televizive gjatë fushatës dhe akoma më keq nuk do kishte lek për fushatën. 
Por në fakt nuk duken të mërzitur. Madje duken të kënaqur. 
Sipas raportimeve të Komisionit të monitorimit të medias gjatë fushatës elektorale, nëse u hedh një sy raporteve shikon se vetëm Top Channel dhe Report TV nuk kanë lejuar epërsi të dyshes Berisha-Meta ndaj të tjerëve, në tërësinë e shfaqjes në ekran. Të tjerët i kanë hapur rrugë. Por më keq se të gjithë është televizioni që duhet të ishte më korrekt, ai publik. Në stacionin e dytë të TVSH, Partia Demokratike zyrtare është shfaqur vetëm 3 minuta që nga 14 prilli. Dhe televizioni i familjes Berisha i ka dhënë më shumë kohë, qoftë dhe duke e sharë. 
Pushteti okult i dyshes Berisha-Meta mbi shtypin duket i plotë. Dhe kryesorja është se ata kanë listë pagesa në të zezë për shumicën e medias dhe natyrisht një listë të gjatë gazetarësh që janë militantë të tyre të depërtuar në media. 
Edhe pse ligjërisht në situatë të pafavorshme, ata në fakt janë dominues të shtypit shqiptar. 
Një situatë dhe më e rëndë duket ajo e financimit të partive. Ligjërisht dyshja Berisha-Meta nuk ka aq shumë fonde në dispozicion, madje Berisha ka zero fonde publike në këtë fushatë, pasi nuk ka vulën e partisë. 
Por ata përveçse duken komodë më milionat e tyre të padeklaruar, janë duke u tallur bashkë me socialistët me partitë e tjera që ende nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga KQZ dhe thesari i shtetit. 
Dhe ky është një skandal. Partitë e vogla dhe Partia Demokratike zyrtare, kandidatët e të cilëve nuk kanë shanse të mbledhin fonde solidariteti, po zhvillojnë një fushatë qindarkash, pasi qeveria ende su ka dhënë lekët edhe pse fushata po mbaron. Partia Socialiste natyrisht që ka rezervat e saj financiare plus mundësinë që ka per sponsorizime për fushatën. Ndërsa Partia Demokratike zyrtare dhe të vegjlit, praktikisht janë falimentuar. 
Të vetmit që ndjehen mirë nga kjo situatë është dyshja Berisha-Meta, pasi ata e kanë garën me opozitat e tjera dhe jo me qeverinë. Bllokimi i financimit të fushatës nga qeveria për të vegjlit dhe liria e dyshes Berisha-Meta për të përdorur miliona të padeklaruara, janë një pushtet okult financiar i kësaj dysheje në këtë fushatë. Po ashtu i lejuar nga qeveria. 
Do të mjaftonte kjo fushatë elektorale , e cila formalisht i vendos ata në pozita diskriminuese gati  viktimë, dhe realisht në pozita favorizuese si diktues të medias dhe financave, në këtë fushatë për të kuptuar se pushteti i tyre nuk qëndron tek ligji, por tek paligjshmëria dhe vullneti për të përdorur botën e errët të parasë dhe krimit, në mes të ditës në garën për pushtet.  



Skip to toolbar