Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka theksuar nevojën për de-eskalimin e situatës në veri.
Ambasadori Hovenier pas takimit me presidenten Vjosa Osmani të hënën, është shprehur thellësisht i shqetësuar për mundësitë e dhunës në katër komunat veriore, derisa nënvizoi sërish se institucionet e Kosovës duhet të shmangin rrethanat kur kryetarët e komunave hyjnë në ndërtesa publike përmes përdorimit të forcës.
“Unë kam pasur një takim më herët së bashku me kolegun tim ambasadorin Szunyog, ne i kishim ftuar të katër kryetarët e komunave nga veriu i Kosovës të na bashkohen, kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveqanit na u bashkuan dhe ne biseduam me ta edhe për situatën, ne jemi thellësisht të shqetësuar, do e përsëris, nuk është mister që qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe qeveritë e QUINT-it kanë thënë të gjitha se ne besojmë se është e rëndësishme të shmangim rrethanat kur zyrtarët publikë hyjnë në ndërtesa publike përmes përdorimit të forcës, ky mbetet qëndrimi ynë”, theksoi ai.
Ambasadori amerikan tregoi para gazetarëve edhe për takimin e tij me kryetarin e Zubin Potokut, Izmir Zeqirin dhe atë të Zveçanit, Ilir Peci, ku tha se diskutimi i tyre është fokusuar në mënyrën sesi ata t’i përmbushin detyrat e tyre ndaj të gjithë qytetarëve.
Ndërkaq, tha se nuk mund të flas pse nuk i kanë pranuar ftesat dy kryetarët e tjerë të komunave veriore, Erden Atiq nga Mitrovica e Veriut dhe Lulzim Hetemi nga Leposaviqi, të cilën vijnë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Në anën tjetër, Hovenier tha se do të ishte i lumtur të takohej edhe me kryeministrin Albin Kurti, por ai tashmë është në udhëtim zyrtar. /KosovaPress/