SPECIALE/ Vendimi që nuk prek dot historinë. Rrugëtimi nga lufta për liri i Presidentit Hashim Thaçi

#NËRADAR


Ka njerëz që e jetojnë historinë, por ka të tjerë që, në një moment të jetës, bëhen vetë historia. Hashim Thaçi i përket kësaj të dyte.

Për gati tri dekada, emri i tij ka udhëtuar nëpër disa prej kapitujve më të trazuar të Kosovës. Nga rrugët e Drenicës, te zyrat e diplomacisë ndërkombëtare. Nga lufta, te tryezat e negociatave. Nga kryeministria, te presidenca. Dhe nga maja e shtetit të Kosovës… në qelinë e paraburgimit në Hagë.

Gjithçka nisi në rrugët e Drenicës, aty ku liria ishte për dekada një endërr e largët, aty ku Hashim Thaçi do të shndërrohej në një prej figurave më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës.

Hashim Thaçi lindi më 24 prill 1968 në Burojë të Skenderajt.U rrit në Drenicë, në një trevë ku historia e përplasjes me pushtetin serb ishte pjesë e kujtesës së çdo familjeje.

Ndërsa Kosova jetonte nën presionin e regjimit të Slobodan Millosheviçit, Thaçi u përfshi në lëvizjen politike dhe rezistencën shqiptare. Ai iu bashkua kauzës për pavarësi teksa ishte student dhe u shndërrua në njërin nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes protestuese të fillimviteve ’90.

Pas shumë viteve rezistencë paqësore, shumë të rinj e të reja shqiptare të Kosovës, filluan të otganizoheshin për një rezistencë të armatosur. U krijua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe Thaçi ishte një nga themeluesit e saj.

Me intensifikimin e presionit serb ai u largua për në Zvicër, ku studioi histori dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Zyrih. I kthyer në Kosovë si figurë kyçe e lëvizjes guerrile, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai mori nofkën “gjarpri” për shkak të shkathtësive të tij në shmangien e policisë serbe.

Më pas do të bëhej një prej figurave drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim të vitit 1999, Thaçi ishte udhëheqës i ekipit negociator të shqiptarëve të Kosovës në Rambuje të Francës, ku bashkësia ndërkombëtare ofroi një plan paqeje mes shqiptarëve dhe serbëve. Në tryezën e diplomacisë ndërkombëtare, përballë Serbisë dhe nën sytë e fuqive më të mëdha të botës, Kosova kërkonte një rrugë drejt paqes dhe lirisë. Shqiptarët e nënshkruan planin, por Beogradi e refuzoi.

Hashim Thaçi shfaqej tashmë si një prej përfaqësuesve kryesorë politikë të shqiptarëve të Kosovës. Një kthesë që do të ndryshonte përgjithmonë jetën e tij. NATO filloi bombardimet kundër ushtrisë dhe policisë serbe më 24 mars 1999.

Verën e vitit 1999 lufta përfundon. Forcat serbe largohen nga Kosova. Dhe për shqiptarët, një ëndërr e gjatë nis të marrë formë. Por për Thaçin, lufta nuk kishte përfunduar. Thjesht kishte ndryshuar front, uniforma do të zëvendësohej me kostumin dhe fusha e betejës me politikën.

Pas luftës, Hashim Thaçi hyn fuqishëm në politikën kosovare; Themelon Partinë Demokratike të Kosovës dhe nis një tjetër betejë: ndërtimin e institucioneve të një Kosove të re.

Në vitin 2001 në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e para pas luftës, por Partia e Thaçit i humbi ato, dhe ai vazhdoi rrugëtimin e tij si opozitar.

Vetëm pas 6 vitesh, në zgjedhjet e treta pas lufte, në nëtor të vitet 2007 PDK fiton zgjedhjet parlamentare dhe Thaçi bëhet kryeministër i Kosovës.

Tre muaj më vonë, më 17 shkurt 2008 vjen një nga momentet më të mëdha të jetës së tij politike, Pavarësia e Kosovës.

Thaçi lexoi deklaratën e Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës, dhe deputetët e shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Një fjali historike. Një moment që për shqiptarët e Kosovës kishte ardhur pas dekadash pritjeje, rezistence dhe sakrifice.

Por historia politike e Thaçit nuk ndalet këtu. Ai drejton qeverinë për dy mandate.

Teksa ishte në mandatin e tij të dytë, në vitin 2011, senatori zviceran në Këshillin e Europës, Dick Marty, publikoi një raport ku akuzon Thaçin dhe disa udhëheqës të tjerë të lartë të UÇK-së për për kryerje të krimeve të luftës, gjatë dhe pas saj.

Në vitin 2015 Kuvendi i Kosovës ndryshoi Kushtetutën, për t’i hapur rrugë krijimit të Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, të cilët do të hetonin pretendimet e ngritura nga Dick Marty. Dhe për ngritjen e kësaj Prokurorie dhe Gjykate, Hashim Thaçi ishte më i zëshmi në rradhët e ligjvënësve në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, nëse Kosova nuk do ta hidhte këtë hap, do ta bënte Këshili i Sigurimit të Kombeve të Bahkuara.

Viti 2016 shënon ngjitjen në majën më të lartë të shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi bëhet President i vendit. Edhe në krye të shtetit, Thaçi nuk e ndali misionin e tij parësor; negociatat me homologun serb Aleksandër Vuçiç dhe përpjekjet për të arritur një marrëveshje përfundimatre me shtetin serb. Përpjekje, të cilat Thaçi nuk i ndali asnjëherë, por i vijoi deri në ditët e fundit në krye të shtetit të Kosovës.

E teksa ishte duke udhëtuar drejt Uashingtonit për një raund tjetër negociatash me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, qershori i vitit 2020 kishte rezervuar atë që konsiderohet si padrejtësia më e madhe e viteve të fundit: Prokuroria në Hagë kishte paraqitur aktakuzë ndaj tij.

Thaçi dha dorëheqjen nga posti i Presidentit, për t’i hapur rrugë, me kokën lart, drejtësisë. Për të mbrojtur integritetin e Kosovës, asokohe lideri i shtetit, iu dorëzua hetimit, duke e konsideruar këtë si çmimin e rradhës që kërkohet të paguajë për  lirinë e atdheut. “Unë jam me fat që jam gjallë dhe e kam parë me sytë e mi ëndrrën tonë shekullore të bëhet realitet”- deklaroi Thaçi përpara se të transferohej drejt Hagës si hero i mbarë shqiptarisë.

Që prej asaj dite, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Kosovës ndodhet pas dyerve të paraburgimit. Por në sallën e gjyqit, historia dhe drejtësia nisën një tjetër përballje.

Ky proces, i cili shihet gjerësisht si i motivuar politikisht nuk mund të ndajë emrin Hashim Thaçi nga historia e luftës së Kosovës dhe nga rruga që çoi në pavarësinë e saj.

Një burrë që e nisi rrugëtimin nga një fshat i Drenicës, u bë një prej emrave kryesortë luftës për lirinë e Kosovës dhe më pas një prej firmëtarëve politikë të shtetit të saj të pavarur.

Për historinë e tij mund të ketë debate, për vendimet e tij mund të ketë kundërshti. Por për një pjesë të madhe të shqiptarëve në mbarë trojet shqipfolëse, emri i Hashim Thaçit mbetet i lidhur me një fjalë të vetme: Lirinë!/abcnews.al



Skip to toolbar