Hidhet shorti i Conference League, Partizani pa shumë fat

AKTUALITET


Tri skuadrat shqiptare ende në garë në Conference League kanë mësuar emrin e kundërshtarëve të mundshëm të fazës play-off.

Partizani, Ballkani dhe Struga duhet që më parë të sigurojnë në fushë kualifikimin nga raundi i tretë, megjithatë janë të përgatitura edhe për rivalët e ardhshëm.

Shorti i hedhur në Nyon të Zvicrës nuk ishte aspak bujar me Partizanin. Goglat vendosën që nëse kalojnë letonezët e Valmeira-s, të kuqtë do të kenë përballë fituesin e sfidës ndërmjet Astanës nga Kazakistani dhe Ludogorets nga Bullgaria.

Këta të fundit ishin rivalët e Ballkanit në turin e parë kualifikues të Champions. Pasi fituan 2-0 ndeshjen e parë në Prishtinë, kampionët e Kosovës u mposhtën 4-0 në takimin e kthimit.

Edhe skuadra e Ilir Dajës nuk ka mision të lehtë përpara, nëse kalon modestët e Lincoln Red Imps nga Gjibraltari. Nëse kualifikohet në play-off, për të luajtur sërish në grupe, Ballkani duhet të kalojë njërin ndërmjet moldavëve të Sheriff Tiraspol ose bjellorusëve të BATE Borisov.

Nga shorti buzëqeshi vetëm Struga. Skuadra e Shpëtim Duros, duhet të kalojë Esperange nga Luksemburgu dhe më pas do të ketë përballë fituesin e Zrinjski nga Bosnja ose Breidablik nga Islanda. Ky ishte edhe çifti më i lehtë i shortit, me shpresën se të paktën një shqiptare do të luajë në grupet e Conference League edhe në këtë edicion.

Ballkani (KOS) / Lincoln Red Imps (GIB) – Sheriff Tiraspol (MDA) / BATE Borisov (BLR)

Astana (KAZ) / Ludogorets 1945 (BUL) – Valmiera (LVA) / Partizani (ALB)

Struga (MKD) / Esperange (LUX) – Zrinjski (BIH) / Breidablik (ISL)



Skip to toolbar