Dita e sotme në Kosovë është ditë zie në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku.
Një pjesëtar i policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe, një ngjarje që mund të rrisë tensionet me Serbinë, në një periudhë përpjekjesh të vështira për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Policia tha së në orët e para të mëngjesit njësitë e saj për reagim të shpejtë vunë re vendosjen e dy kamionëve të tonazhit të rëndë në urën në hyrje të fshatit Banjskë. Dy kamionët pa targa kishin bllokuar lëvizjen.
Tre njësi të policisë që shkuan në vendin e ngjarjes u qëlluan me armë zjarri, përfshirë bombat e dorës dhe armë të tjera të rënda, duke bërë që një polic i Kosovës të vritet dhe një tjetër të plagoset.
Autoritetet thanë se rreshteri i policisë Afrim Bunjaku nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq nga plagët e marra gjatë sulmit. Autoritete thanë se sulmuesit e armatosur ishin vendosur në Manastir dhe përreth tij në fshatin Banjskë. Sulmuesit shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës.